
Besëlidhja ka nisur lëvizjet në merkaton e janarit me dy afrime të rëndësishme, duke treguar qartë ambiciet për pjesën e mbetur të sezonit. Afrimi i parë është Xhuljo Mehmeti, mesfushor me eksperiencë në futbollin shqiptar dhe atë kosovar. Mehmeti ka qenë më parë pjesë e skuadrave si Erzeni, Kastrioti dhe Liria e Prizrenit, ndërsa vlerësohet për luftën në mesfushë dhe ekuilibrin që i jep lojës. Ai pritet të jetë një element i rëndësishëm në skemat e stafit teknik. Ndërkohë, Besëlidhja ka përforcuar edhe repartin e portës me afrimin e Marco Mollës. Portieri shkodran vjen me një profil të konsoliduar, pas eksperiencave në Itali dhe në Superligën shqiptare, dhe shihet si zgjidhja e duhur për të “blinduar” portën. Drejtuesit e klubit kanë vendosur të investojnë fort në këtë repart, duke e konsideruar vendimtar në objektivin për ngjitje në Kategorinë e Parë. Me këto dy lëvizje, Besëlidhja konfirmon qartë synimet e saj, ndërsa priten edhe afrime të tjera në ditët në vijim.


