
Ekipi lezhjan, Besëlidhja, e ka mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke triumfuar me rezultatin 0-2 përballë Naftëtarit në ndeshjen e fundit të kampionatit dhe shpallur kampione e grupit A. Lezhjanët dominuan lojën gjatë gjithë takimit dhe gjeten rrugën e rrjetës që në pjesën e parë me anë të Hile-s, ndërsa në fraksionin e dytë ishte Rraboshta që vulosi fitoren nga pika e bardhë e penalltisë.Takimi i zhvilluar në Kuçovë konfirmoi një sezon të suksesshëm për skuadrën lezhjane, e cila pa asnje humbje ka siguruar ngjitjen në Kategorinë e Parë pas një ecurie të qëndrueshme gjatë gjithë kampionatit.Në përfundim të ndeshjes, në prani edhe të presidentit të klubit, Pjerin Fushaj, Besëlidhja ngriti kupën e kampionit të Grupit A, duke kurorëzuar në mënyrë simbolike dominimin e saj në këtë sezon.
Trajneri i Besëlidhjes, Elvis Plori, u shpreh i kënaqur për këtë arritje, duke vlerësuar përkushtimin e lojtarëve dhe punën e bërë nga skuadra gjatë gjithë sezonit.
Besëlidhja do të luajë javën e ardhshme finalen e Kategorisë së Dytë, ku do të përballet me fituesen e Grupit B.






