
Ekipi lezhjan i Besëlidhja në futboll ka arritur një tjetër fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Gramshin me rezultatin 0-2. Në ndeshjen e luajtur në Peqin, Besëlidhja shfaqi një paraqitje solide, e cila u konkretizua me dy gola që siguruan tre pikë të vlefshme në garën për kreun e renditjes.Goli i parë i takimit u shënua nga Akansase, i cili zhbllokoi sfidën dhe i dha qetësi ekipit në fushë. Besëlidhja vijoi të kontrollojë lojën dhe të krijojë raste të tjera, duke mos lejuar vendasit të rrezikonin portën.Në pjesën e dytë, Rraboshta dyfishoi shifrat nga pika e bardhë e penalltisë, e cila erdhi pas një ndërhyrjeje të parregullt në zonë nga vendasit, duke vulosur përfundimisht fatin e ndeshjes.
Në përfundim të takimit, trajneri i Besëlidhjes, Elvis Plori, u shpreh i kënaqur me lojën e skuadrës që ai drejton, e cila sipas tij mund të kishte shënuar edhe më shumë gola, por u penalizua nga terreni me baltë dhe i rrëshqitshëm.
Me këtë fitore, Besëlidhja vijon të mbajë kryesimin në kampionat me katër pikë larg vendit të dytë, Shirokes, dhe gjashtë pikë më shumë se skuadra e vendit të tretë, Sopoti.






