Në një ceremoni solemne me karakter ushtarak, 350 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) bënë sot betimin e tyre, duke shënuar përfundimin e trajnimit nëntë-javor në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes. Nga ky moment, ata janë zyrtarisht pjesë e radhëve të FSK-së.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përshëndeti këtë arritje përmes një mesazhi urimi, duke theksuar se “Ushtria jonë rritet me guxim dhe Kosova ecën përpara me krenari”, ndërsa vlerësoi përkushtimin e rekrutëve për t’i shërbyer vendit. Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë figura të larta shtetërore dhe ushtarake, përfshirë edhe Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, përpara të cilit u dha raporti simbolik që shënon fillimin e një etape të re për këta të rinj.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe partnerë ndërkombëtarë, të cilët dëshmuan aktin solemn të betimit të rekrutëve, të cilët shprehën vendosmërinë e tyre për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës me nder dhe përgjegjësi.

Artikulli paraprakVAU I DEJËS, AUTOMJETI PËRPLAS TË MITURIN 16 VJEÇAR
Artikulli tjetërZJARRET NË VEND! MINISTRIA E MBROJTJES: TRE VATRA GJATË DITËS SË SOTME, TË GJITHA JANË SHUAR