
Pasiviteti i presidentit Biden gjatë kësaj jave, jo për faj të tij por për shkak të infektimit me Covid-19 e ka dërrmuar mbështetjen e 79-vjeçarit nga Partia Demokratike.Një sondazh i publikuar nga media e majtë CNN ka gjetur se afro 75% e demokratëve nuk duan që presidenti Biden të kandidojë për një mandat të dytë presidencial në vitin 2024.
Gjetjet e fundit vijnë pasi mbështetja e Biden nga votuesit amerikanë ka qenë ndër më të ulëtat ndër vite.Sa i përket ekonomisë së vendit, aprovimi për Biden ka rënë në 30%.
Sipas sondazhit vetëm 25% e votuesve demokratë duan që Biden të rikandidojë sërish në 2024-n, ndërsa shifra e mbështetjes në muajin shkurt ishte 45%.
24% e të majtëve duan që ai të largohet nga gara pasi mendojnë se ai nuk mund të fitojë, ndërsa 32% nuk duan që ai të rikthehet në zyrë.
Entuziazmi për Biden është më i ulëti në mesin e demokratëve të rinj, me vetëm 18% të atyre nën 45 vjeç që preferojnë 79-vjeçarin si kandidatin e tyre për vitin 2024.Mëkatet që bien mbi presidentin janë rritja e çmimeve, e shkaktuar nga inflacioni i paprecedentë për të cilën Biden fajëson Rusinë.
Ndërsa mbështetja për 79-vjeçarin sa vjen edhe ulet, megjithëse me një përçarje mes tyre te republikanët Donald Trump mbetet më i preferuari i të djathtëve.76-vjeçari i cili pritet të kandidojë sërish në vitin 2024 ka mbështetjen e mbi 70% të republikanëve ndërsa ndiqet nga guvernatori i Floridas Ron DeSantis, disa senatorë të tjerë dhe ish-nënpresidenti Mike Pence.