Çmimi i naftës bruto në tregjet e huaja ka zbritur në nivelin më të ulët që prej janarit të këtij viti. Për herë të parë që prej nisjes së agresionit rus në Ukrainë kur çmimi në tregjet e huaja vetëm regjistroi rritje duke shkuar deri afër nivelit 130 dollar fuçia, sot çmimi i naftës bruto në bursën ndërkombëtare është 88 dollarë.

Por pavarësisht kësaj rënie, një fuçi kushton rreth 16 dollarë më shumë se në 8 shtator të vitit 2021, kohë kur fuçia e naftës ishte 72.60 dollarë. Ndërsa në vendin tonë aktualisht qytetarët një litër naftë e blejnë për 232 lekë, që është çmimi i fundit i caktuar nga Bordi i Transparencës për Monitorimin e Karburanteve më 2 shtator. Por kjo rënie e çmimit të naftës bruto, nuk pritet të reflektohet me të njëjtin intensitet tek çmimi i naftës që blejnë qytetarët në pikat e karburantit, pasi Ministria e Financave ka sqaruar më herët se ata marrin si referencë për çmimet e reja, luhatjet në bursën Platts të Mesdheut për gazoilin,benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatoreve.

“Theksojmë se Bordi nuk cakton çmimet e naftës Bruto, por të gazoilit, benzinës dhe gazit të lëngshëm sipas standardeve të përcaktuara në Aktin Normativ. Bordi ka caktuar vetëm marzhet bruto maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë, me të cilat operatorët duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet operative. Pra, vendimet që merr bordi dhe ndryshimi i çmimeve të shitjes lidhet vetëm me ndryshimet në bursën Platts të Mesdheut për gazoilin dhe benzinës, pra jo të bursës së naftës bruto, si dhe në lëvizjen e kursit të dollarit”, shpjegoi Ministria e Financave në njoftimin e fundit të bordit të transparencës.

Ndërsa për opozitën në vend, Bordi nuk po bën transparencë me çmimet, pasi në përbërje të tij janë vetë kompanitë e hidrokarbureve. Duke qenë se çmimet e caktuara prej tij sipas PD janë abuzive dhe që zhvatin qytetarët ata kanë kërkuar që të shfuqizohet ky bord, kërkesë që e kanë depozituar edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Artikulli paraprakHOROSKOPI PËR DITËN E SOTME, 8 SHTATOR 2022
Artikulli tjetërDOLLARI ARRIN NIVELIN MË TË LARTË NË 5 VJET NË TREGUN VENDAS