Shoqata e Prodhuesve të Birrës shqiptare mbështet Festën e Birrës në Korçë këtë vit. Ardhja e këngëtarit serb Goran Bregoviç ka sjellë një debat të gjerë në Shqipëri dhe më tej, por sipas Shoqatës është e drejtë e organizatorëve të festës të mendojnë për programin muzikor.

Me një thirrje drejtuar qytetarëve shqiptarë, ajo i fton të bëhen pjesë e Festës së Birrës të cilën e konsideron traditë të bukur disa vjeçare e manifestimit të dashurisë dhe respektit të Korçës.

Po ashtu, Shoqata ka kritika dhe për tërheqjen e Birrës Peja për të cilën thotë se ka gjetur një sebep dhe duket se do të dëmtojë festën, ndërkohë thekson se shumicën e lëndëve të para kjo industri i merr nga Serbia.

 

DEKLARATA E SHOQATËS SË PRODHUESVE TË BIRRËS SHQIPTARE

Kemi ndjekur këto ditë debatin për ftesën që Bashkia e Korçës i ka bërë këngëtarit serb Goran Bregovic, për të performuar nga bagazhi i vetë artistik në festën e birrës në qytetin e Korçës!

Eshtë plotësisht e drejtë e tyre si organizatorë të festës që të mendojnë për programin muzikor që mbështet këtë festë.

Festa e Birrës në Korçë tashmë është një traditë e bukur disa vjeçare e manifestimit të dashurisë dhe respektit që qytetarët e Korçës, gjithë Shqipërisë, të trevave shqiptare dhe nga shumë vende fqinje dhe më larg….ushqejnë për industrinë vendase të prodhimit të birrës, për birrën shqiptare për cilësinë dhe shijen e saj të mrekullueshme!

Shoqata e prodhuesve të birrës shqiptare e mbështet dhe e inkurajon këtë festë kaq të bukur dhe fton gjithë qytetarët të marrin pjesë masivisht për të festuar së bashku!

Njëherësh ndjejmë keqardhje të madhe për largimin nga kjo festë të Birrës Peja që duke gjetur një sebep se po na vjen për të kënduar një këngëtar serb është tërhequr nga kjo festë!

Duam të njoftojme gjithë dashamirësit e birrës vendase shqiptare se kjo tërheqje e Birrës Peja, më shumë duket si një pretekst për të dëmtuar këtë festë të bukur se sa një lëvizje e tipit partizano-patriotik sepse po të jetë kështu, si ka mundësi që Birra Peja një pjesë të lëndëve të para për këtë industri, i merr nga Serbia, dhe kjo s’përbën asnjë problem, por ja që për Birrën Peja produkti muzikor që vjen nga Serbia nëpërmjet një këngëtari qenka problem?! Birra është gëzim dhe jo ndasi o vëllezër të Pejës.

Shoqata e Prodhuesve të Birrës vendase shqiptare, edhe njëherë inkurajon organizatorët e festës së birrës dhe fton qytetarët nga Korça, nga Shqipëria, nga trevat shqiptare dhe vendet e rajonit, ti bashkohen kësaj tradite të mrekullueshme të kontaktit të birrës shqiptare me konsumatorët e saj.

Shoqata e Prodhesve të Birrës Shqiptare!