
KOSOVË- Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, thotë se Kosova nuk ka përfituar nga marrëveshjet e deritanishme të negociuara nga Brukseli.
DW: Kur flasim për Bashkimin Europian, politikën e jashtme rajonale dhe reformat që duhen çuar përpara, dua t’ju pyes për dialogun me Serbinë, i cili duket se ka ngecur. Përveç detyrave të tjera që keni, ju jeni edhe kryenegociator për palën kosovare në këtë dialog.
Cilat janë propozimet tuaja për ta nxjerrë nga kriza dialogun Prishtinë-Beograd?
Bislimi: Në fakt nuk ka dialog ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit por ka dialog mes Kosovës dhe Serbisë, sepse nuk shkojnë përfaqësuesit e qyteteve por përfaqësuesit e qeverive të dy vendeve.
Dialogu në Bruksel ka pasur dy objektiva kryesore: objektiva e parë është normalizimi i plotë i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe objektiva e dytë është mbështetja e palëve në zbatimin e marrëveshjeve paraprake.
Ndërkohë kemi pasur ndërhyrje nga vendet mike me një marrëveshje të ndërmjetme e cila njihet si “Marrëveshja Bazike e Brukselit” apo “Marrëveshja e Ohrit” e cila përfshin edhe marrëveshjet e tjera paraprake.
DW: E keni fjalën për Asociacionin e komunave me shumicë serbe?
Bislimi: Jo, është fjala për një marrëveshje që përmban brenda 39 marrëveshje të tjera dhe jo marrëveshjen për Asociacionin.
Kjo është narrativa e Serbisë e cila do ta reduktojë Marrëveshjen Bazike në një rikonfirmim të Asociacionit por kjo marrëveshje ka 11 nene dhe në asnjërin nen nuk përmend specifikisht Asociacioni por përmendet detyrimi i palëve për t’i zbatuar marrëveshjet paraprake.
Ndërkaq është konstatim i përbashkët i Kosovës dhe i Bashkimit Europian që përkundër faktit se pjesa më e madhe e marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel kanë kërkuar veprime nga ana e Kosovës dhe jo nga e Serbisë, megjithatë lista e mospërmbushjes së detyrimeve nga ana e Serbisë është dyfish më e gjatë se ajo e Kosovës.
Pra ka shumë marrëveshja që Serbia duhet t’i implementojë.
Si për shembull mbyllja e strukturave paralele, ose mosbllokimi i Kosovës në institucionet ndërkombëtare, çështja e Kadastrës, menaxhimi i integruar i kufirit, energjia edhe shumë e shumë marrëveshje të tjera të cilat kanë ngecur sepse Serbia nuk i ka respektuar ato marrëveshje.
Dhe për të gjitha këto duhet punuar brenda marrëveshjes bazike ku njëra prej tyre është marrëveshja e 2013-ës dhe ajo e Principeve e vitit 2015 por nuk është pjesa kryesore e marrëveshjes.
DW: Por gjithsesi duke pasur parasysh sa dëm i ka bërë kjo marrëveshje imazhit të Kosovës, a nuk mendoni se nevojitet njëfarë zgjidhjeje, kompromisi.
Kryeministri vetë ka treguar fleksibilitet për këtë çështje por ju jeni treguar më i rezervuar për të bërë kompromis në këtë drejtim. Përse?
Bislimi: Pjesa më e madhe e konfuzionit që është krijuar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe rrjedh nga mosnjohja e detajeve.
Ka shumë pak njohuri rreth asaj që përmban kjo marrëveshje. Këtu lindin pastaj dhe ndikimet në imazhin e Kosovës.






