Zhdukja e biznesmenit italian në Shqipëri Davide Pecorelli ka vënë në lëvizje autoritetet hetimore të dy vendeve. Autoritetet italiane dhe homologët shqiptarë do të zhvillojnë një takim në Pukë. Takimi do të nisë në orën 14:00. Grupi i ekspertëve italian ka mbërritur në Shqipëri ditën e sotme, teksa vizita e tyre ishte paralajmëruar më herët në mediat italiane. Madje këto të fundit kanë ngritur pretendime se autoritete shqiptare po i pengojnë hetimet, duke lënë shumë “gjëra anash”.

Pecorelli ka ardhur për herë të parë në Shqipëri më datë 24 shtator në vitin 2020. Qëndrimet e tij në Shqipëri kanë qenë 3 ditore deri në 2 javë. Rezulton se Pecorelli ka hyrë në vendin tonë më datë 3 janar nga Italia në orën 16:50 nëpërmjet aeroportit të Rinasit.

Po atë ditë ai mori me qira mjetin tip ‘Skoda Fabia’ e cila u gjet më pas e djegur në aksin Gjegjan-Reps në Pukë. Më datë 4 janar, Pecorelli udhëtoi drejt Shkodrës e në mbrëmje në Pukë ku u akomodua në hotel të cilën e prenotoi për 3 ditë por që qëndroi vetëm për dy ditë.

Një mesazh i dërguar nga WhatsApp për mikun e tij zbulon një tjetër detaj nga ngjarja e rëndë e zhdukjes së sipërmarrësit italian në Shqipëri, Davide Pecorelli. Një shok i tij në Itali, me të cilin Davide Pecorelli ishte gati të niste një biznes në të njëjtin sektor, shprehet se ka marrë një mesazh nga italiani që dyshohet se është djegur në makinën e tij teksa udhëtonte në Pukë.

Davide Pecorelli, 45 vjeç, mendohet se është gjetur në makinën e marrë me qira prej tij, që u gjet e djegur pasditen e 6 janarit në Pukë, ende në rrethana të paqarta. Në makinën e djegur është gjetur një skelet që dyshohet se është i tij. Kockat janë dërguar për ekzaminim në laboratorin kriminalistik në Tiranë dhe pritet të dalë përgjigjia e ADN, e cila do të krahasohte me atë të familjarëve të ish-arbitrit italian.

Kujtojmë se analiza e ADN-së bërë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Shqipëri, nëse pjesët e kockave të njeriut gjetur në automjetin ku udhëtonte Davide Pecorelli, 45-vjeçari italian i shpallur i humbur prej datës 6 janar, do të analizohen në Itali.

Prokuroria e Perugias, e cila në të njëjtën kohë ka hapur procedim penal, ka në dorë ADN-në e vëllait të Pecorelit, të cilat do t’i krahasojë me analizat e ADN të mbetjeve kockore të analizuara në Shqipëri.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se në eshtrat e gjetura s’ka dëmtime me plumb apo shenja dhune. Sipas hetuesve ngjarja është aksidentale dhe bëhet fjalë se eshtrat janë të biznesmenit, por në fund do jetë ADN-ja ajo që do e faktojë.