Sektori i blegtorisë gjendet në vështirësi, për shkak të kostove të larta dhe subvencioneve të ulëta. Përfaqësues të sektorit rikthejnë në vëmendje nisjen e protestave nëse nga institucionet nuk do të plotësohen kërkesat e tyre.

Disa blegtorë prodhues përfaqësues për sektorin, tashmë i janë drejtuar me një letër kryeministrit Edi Rama, ministrit të Bujqësisë Andis Salla dhe ministrit të Financave Petrit Malaj, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për situatën e sektorit të qumështit.

Në letrën e tyre, blegtorët shprehen se sektori ndodhet në kushte të vështira dhe se nevoja për zgjidhjen e problematikave është bërë gjithnjë e më emergjente.

Blegtorët kujtojnë dakordësimin e bërë në takimin e 7 prillit 2026 me ministrat e Bujqësisë dhe të Financave, kur sipas tyre ishte rënë dakord që çështjet e sektorit të trajtoheshin në muajin shtator. Por, sipas blegtorëve, situata e tregut nuk lejon më shtyrjen e zgjidhjeve.

Blegtorët rendisin 7 kërkesa konkrete për plotësim ndaj qeverisë

Krijimi i një laboratori shtetëror për analizat e qumështit;

Uljen e çmimit të naftës për blegtorët duke hequr akcizën dhe taksat;

Vendosjen e tarifave për produktet e vajit të palmës, qumështit pluhur dhe hirrës;

Rishikimin dhe shtimin e subvencioneve të dhëna ndaj blegtorëve;

Etiketimi e produkteve duke treguar vendin e origjinës së qumështit me të cilin prodhohet;

Rialokimin e pjesës së parealizuar nga skema e 10% në subvencione për blegtorët;

Kontrolle në kufi për qumështin e importit për aflatoksinë, proteinë, yndyrë dhe ngarkesë mikrobiologjike.

“Kërkesat e sipërcituara janë jetike për situatën ku ndodhet aktualisht sektori i blegtorisë dhe rrjedhimisht kërkojmë një takim të përbashkët me të dy Ministritë sa më parë që të jetë e mundur pasi çdo ditë e më tepër po vështirësohet mbijetesa e këtij sektori”, theksojnë blegtorët në letrën e tyre./Monitor.al/

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakNDALIMI I IMPORTEVE TË MISHIT NGA BRAZILI, PËRPUNUESIT PARALAJMËROJNË RRITJE TË ÇMIMEVE DERI NË 40%! PIKU PRITET NË DHJETOR
Artikulli tjetërURSULA VON DER LEYEN NIS NESËR TURIN BALLKANIK, NDALESA E PARË TIRANA