Blegtoria prej disa vitesh është në rënie të lirë. Ajo po përballet me një tkurrje të vazhdueshme, që po reflektohet në fermat shqiptare, në numrin e krerëve dhe tashmë edhe në sasinë e qumështit që prodhohet në vend.

Kostot e larta të ushqimit të kafshëve dhe karburantit, fermat e vogla dhe të fragmentuara dhe produktiviteti i ulët po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë mbajtjen e aktivitetit blegtoral. Në anën tjetër të zinxhirit, industria përpunuese ka nevojë për furnizim të qëndrueshëm dhe të standardizuar, çka po e shtyn tregun drejt lëndës së parë dhe produkteve të importuara.

Ndërsa prodhimi vendas tkurret, importet e qumështit dhe produkteve të bulmetit po fitojnë më shumë hapësirë në tregun shqiptar. Të dhënat e INSTAT tregojnë se prodhimi i qumështit ra nga rreth 1.013 milionë tonë në vitin 2021 në 868.3 mijë tonë në vitin 2025. Në të njëjtën periudhë, sektori blegtoral është përballur me rënie në numrin e krerëve, veçanërisht te delet dhe dhitë.

Sipas Regjistrit të Biznesit të INSTAT, në fund të vitit 2025 në Shqipëri rezultonin 112.205 fermerë, 6.1% më shumë se një vit më parë. Kjo shifër i referohet fermerëve të regjistruar në regjistrin e njësive ligjore dhe nuk duhet të barazohet me numrin e personave që merren aktivisht me blegtori apo me numrin e fermave blegtorale.

Gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të cituara nga Pilku, Shqipëria importoi rreth 19.8 milionë dollarë qumësht të ambalazhuar, 42.2 milionë dollarë djathë dhe gjizë dhe rreth 9 milionë dollarë kos. Në total, sipas tij, importet e produkteve të bulmetit arritën në rreth 7.74 miliardë lekë, ndërsa eksportet në rreth 629 milionë lekë.

Ekonomia rritet 3.61%, por industria dhe bujqësia vijojnë tkurrjen gjatë 2026-ës
Sipas ekspertit Ervin Resuli, shpenzimet për karburantin, inputet bujqësore, ushqimin e kafshëve dhe shërbimet veterinare janë rritur, duke e çuar koston e prodhimit të një litri qumësht në rreth 48–50 lekë. Në varësi të fermës, cilësisë së qumështit dhe kontratës me grumbulluesin, çmimi i grumbullimit varion, deri në 55 lekë për litër.

Sipas tij, për periudhën janar 2026, importet e qumështit u rritën me rreth 47% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Në të njëjtën kohë, formalizimi i qumështit mbetet një hallkë e rëndësishme. Lidhja më e qëndrueshme mes fermerit dhe përpunuesit do t’i jepte industrisë siguri për furnizimin dhe fermerit një treg më të parashikueshëm.

Nga Megi Iskurti, Faktoje.al

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakTURI BALLKANIK/ URSULA VON DER LEYEN SOT NË TIRANË, TAKON RAMËN E BEGAJN! PASDITE KONFERENCË ME KRYEMINISTRIN
Artikulli tjetërREKORD NË TOKIO, SHI PËR 34 DITË RRESHT, RESHJET DËMTOJNË BUJQËSINË DHE RRISIN RREZIKUN E RRËSHQITJEVE TË DHEUT