
Prof. Dr. Blerta Dragusha ka marrë zyrtarisht detyrën e Rektores së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, duke e cilësuar këtë përgjegjësi si një nder të veçantë dhe një angazhim të madh ndaj institucionit, komunitetit akademik dhe studentëve.
Në mesazhin e saj të parë publik, Dragusha theksoi se e ka pranuar këtë detyrë me përkushtim të plotë, duke vendosur në qendër të punës formimin e brezave të rinj, zhvillimin e kërkimit shkencor dhe promovimin e dijes.
Rektorja e re falënderoi Ministren e Arsimit për besimin e dhënë, ndërsa garantoi se drejtimi i universitetit do të mbështetet në parimet e integritetit, transparencës, përgjegjshmërisë dhe vizionit afatgjatë.
Një vlerësim të veçantë ajo i kushtoi paraardhësit të saj, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, duke e falënderuar për kontributin në drejtimin dhe zhvillimin e universitetit gjatë dy viteve të fundit dhe duke i uruar suksese në angazhimet e ardhshme.
Dragusha u shpreh e vendosur për të forcuar bashkëpunimin me stafin akademik dhe administrativ, mbi bazën e dialogut, meritokracisë, profesionalizmit dhe përgjegjësisë së përbashkët. Ajo theksoi se studentët do të mbeten në qendër të vëmendjes së institucionit, ndërsa universiteti do të vijojë të forcojë lidhjet me komunitetin, partnerët institucionalë dhe botën akademike brenda dhe jashtë vendit.
Në deklaratën e saj, Rektorja e re nënvizoi se do të udhëhiqet nga parimet e qeverisjes së mirë universitare, duke përfshirë transparencën, llogaridhënien, autonominë akademike dhe promovimin e ekselencës.
Në përmbyllje, Prof. Dr. Blerta Dragusha ftoi maturantët të zgjedhin programet e studimit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” për vitin akademik 2026–2027, duke theksuar se “së bashku do të ndërtojmë të ardhmen përmes dijes, inovacionit dhe vlerave”.


