Temperaturat e larta të këtyre ditëve dimërore kanë shkaktuar luhatje të ekuilibrave natyrorë. Në Italinë fqinje, Autoriteti i Agrikulturës, ka bërë të ditur se 50 miliardë bletë janë zgjuar nga gjumi i stinës së ftohtë një muaj para.

Në Itali janë të regjistruara 1.5 milionë koshere dhe bletët të gënjyera nga temperaturat e ngrohta pranverore të parakohshme, kanë dalë nga to duke nisur procesin e tyre të punës.

Monitorimi i kryer nga autoriteti Coldiretti vë në dukje pasojat e një dimri të karakterizuar nga temperatura me të paktën 1.65 gradë mbi mesataren normale. Dhe ky zgjim është i rrezikshëm, pasi mund të rikthehet i ftohti, çka do të ishte fatale, pasi do shkaktonte vdekjen e shumicës së tyre.

Sipas ekspertëve, ndryshimet e klimës nuk ndikojnë vetëm mbi bletët, që janë ndoshta gjallesa më e rëndësishme mbi tokë, por edhe mbi parazitët jo autoktonë. Aktualisht problem po shkakton një insekt vrasës i ardhur nga Azia, që po vret të mbjellat dhe vreshtat e rreth 48 mijë kompanive në Itali. Sipas agjencisë së lajmeve Ansa, në vitin e fundit dëmi në nivel kombëtar përllogaritet në 740 milionë euro.

Gjithashtu para disa ditësh temperaturat e larta dhe anormale për stinën zgjuan nga letargjia edhe disa kafshë në kopshtin zoologjik të Shën Peterburgut në Rusi.

Artikulli paraprakTËRHIQET NGA DEKRETI? META: 2 MARSI DO TË JETË PARALAJMËRIM PËR RAMËN!
Artikulli tjetërINFO PLUS – 20.02.2020