Presidenti Barack Obama po zhvillon udhëtimin e tij të fundit si president i Shteteve të Bashkuara dhe pritet që zgjedhja e Donald Trumpit të jetë në qendër të diskutimeve me udhëheqës të tjerë botërorë.

Avioni i Presidentit Obama mbërriti paraditen e sotme në aeroportin e Athinës. Obama do të qëndrojë sot dhe nesër në Greqi, për të fluturuar të enjten në Gjermani dhe pastaj në Peru. Athina ka marrë të gjitha masat e sigurisë. Kryeqyteti helen është blinduar, ku përveç 4500 policëve greke do të asistojnë 500 agjentë të CIA-s, forcat e marinë amerikane si dhe rojet bregdetare greke për të shmangur çdo kërcënim të mundshëm si nga deti ashtu dhe nga toka. Vizitat synojnë të japin një sinjal solidariteti për aleatët më të afërt të Shteteve të Bashkuara dhe për të shprehur mbështetje për një “Europë të fuqishme, të integruar dhe të bashkuar”. Fjalimin e vetëm të rëndësishëm të këtij turneu zoti Obama pritet ta mbajë në Greqi, ku do të flasë për punën që mbetet për t’u bërë për të trajtuar problemet ekonomike të Greqisë dhe të vendeve të tjera të botës. Një nga këshilltarët e presidentit për sigurinë kombëtare tha se zoti Obama do t’i shprehë kryeministrit grek Alexis Tsipras, mbështetje për popullin grek, që ju desh të kalojë kohë të vështira për shkak të masave të ashpëra si përgjigje ndaj krizës ekonomike. Të enjten presidenti Obama shkon në Gjermani. Këshilltari për sigurinë kombëtare Rhodes theksoi rëndësinë e marrëdhënies me Gjermaninë, duke e cilësuar Angela Merkelin si “partneren më të afërt të Presidentit Obama gjatë viteve të presidencës së tij.” Në Berlin do të zhvillohet të premten një takim, ku do të jenë të pranishëm edhe udhëheqës nga Britania, Franca, Italia dhe Spanja. Diskutimet pritet të fokusohen tek lufta kundër Shtetit Islamik, çështje që lidhen me imigracionin, gjendja në Ukrainë dhe zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara.

Artikulli paraprakPAS SHERRIT NË “FACEBOOK”, QËLLOHET ME THIKË ADOLESHENTI
Artikulli tjetërFUSHATA – SHTËPI MË SHTËPI, NË FSHAT E QYTET, PËR TË MBLEDHUR ARMËT PA LEJE