Suedia ka ekstraduar një kurd, i dyshuar për lidhje me terrorizmin në Turqi. Ekstradimi tij vjen në kuadër të presioneve të Ankarasë, e cila kërkon ekstradimin e të gjithë kurdëve, në mënyrë që të lejojë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Mahmut Tat kishte kërkuar azil në Suedi në vitin 2015 pasi u dënua në Turqi me gjashtë vjet e 10 muaj burg për lidhje të dyshuara me grupin militant kurd PKK.

Televizioni shtetëror turk TRT tha se Tat u dërgua sot në një burg të Stambollit.

Në maj, Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’u bashkuar me NATO-n në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, por hasën në kundërshtime nga Turqia, e cila akuzoi të dy vendet se strehojnë militantë nga Partia e ndaluar e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe grupe të tjera.