Vendimin zhgënjyes të djeshëm të Këshillit të BE, opozita maqedonase ja ka faturuar të gjithën kryeministrit Zoran Zaev.

Për VMRO-DPMNE, Zaev premtoi dhe gënjeu, pasi ka 3 vite që thotë se Maqedonia e Veriut e ka marrë datën për negociatat, ndërkohë që ka deklaruar se do të japë dorëheqjen nëse ato nuk çelen.

Partia më e madhe opozitare thotë se Maqedonia e Veriut tashmë është e poshtëruar kombëtarisht dhe qeveria aktuale duhet të dorëhiqet e sovrani të vlerësojë.

“Zaevi premtoi, Zaevi gënjeu. Tre vite premtime boshe se e kemi marrë datën dhe se fillojmë negociatat me BE-në, tre vite zhgënjim për qytetarët. Që para tre vitesh Zaevi premtoi se do të japë dorëheqje nëse nuk fillojmë negociatat me BE-në. Ndodhi ajo për të cilën paralajmërojmë tre vite; që data për fillimin e negociatave është e paarritshme deri sa Zaevi është në pushtet. Për fat të keq, Maqedonia mbetet para portave të BE-së dhe e poshtëruar kombëtarisht.
Nuk ka datë për bisedime me Bashkimin Evropian dhe që nga viti 2018 çdo gjë paska qenë gënjeshtër. Fotografitë në aeroplan, shpenzimet e shëtitjeve të kryeministrit e ministrave të Qeverisë do të mbeten vetëm një dëshmi e mashtrimit të këtij pushteti dhe shpenzime që do të duhet t’i paguajnë qytetarët e vendit. Çfarë duhet të ndodh më shumë se kaq që ministri jeshil i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, të pranojë se është i dështuar, çfarë duhet të ndodhë më shumë që kjo Qeveri të dorëhiqet dhe t’i rikthehet rivlerësimit nga sovrani.”.- thanë nga VMRO-DPMNE.