Bllokohen 23 automjete luksoze, dy të blinduara

Policia e Shtetit bllokon 23 automjete luksoze në vazhdimësi të operacionit “Vjeshtë 2017”, në Tiranë dhe në Fier. Dy prej makinave të bllokuara mësohet se janë të blinduara. Burimet zyrtare njoftuan se gjatë kontrolleve të ushtruara në Fier, janë shoqëruar për verifikim drejtuesit e 16 makinave luksoze, njëra prej të cilëve e blinduar, pasi dyshohet se këto mjete mund të jenë të trafikuara. Ndërkohë, pak orë më vonë, policia bëri me dije se në Tiranë u bllokuan edhe 7 automjete të tjera, nga të cilat njëra e blinduar. Forcat e rendit kanë ndeshur në rezistencë nga drejtuesit e makinave të kontrolluara në qytetin e Fierit. Personat me iniciale Eldison H, 21 vjeç nga Fieri dhe Idriz S, 46 vjeç banues në Lushnjë u arrestuan me akuzën se kanë kundërshtuar forcat e policisë gjatë shoqërimit të tyre në komisariat për shkeljet e konstatuara. Shërbimet e policisë kanë ngritur pika të shumta kontrolli duke bërë verifikimin e makinave luksoze, të cilat dyshohet se janë përfituar nga burime të paligjshme. Në Tiranë, janë evidentuar dy kazino ku ushtrohej aktiviteti i jashtëligjshëm i lojërave të fatit, ndërkohë në njërën prej tyre ushtrohej edhe aktiviteti i shitjes së lëndëve narkotike kokainë. Pas zbulimit të këtij fakti, është arrestuar pronari i kazinosë ku shitej lënda narkotike dhe është ndjekur penalisht në gjendje të lirë pronari i kazinosë tjetër.