
Rikthimi i reshjeve të dëborës në zonat malore ka vënë në lëvizje të gjitha strukturat përgjegjëse dhe firmat kontraktuese, të cilat po operojnë me gatishmëri të plotë për garantimin e qarkullimit rrugor. Ndërhyrjet po zhvillohen pa ndërprerje në akset Bogë – Qafë Thore – Theth dhe Tamarë – Vermosh, ku po kryhet pastrimi mekanik i dëborës dhe kriposja e rrugës.
Mjetet borëpastruese dhe ekipet në terren janë angazhuar që në orët e para të reshjeve, duke synuar mbajtjen e akseve rrugore të hapura dhe të sigurta për përdoruesit e rrugës. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa ndërhyrjet përshtaten sipas intensitetit të reshjeve dhe kushteve atmosferike.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në këto zona, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të pajisin automjetet me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht në segmentet me prani dëbore dhe ngricash. Strukturat përgjegjëse do të vijojnë të jenë në gatishmëri maksimale për të përballuar çdo situatë që mund të krijohet si pasojë e kushteve të motit.






