Qeveria britanike ka marrë masa të ashpra për frenimin e koronavirusit.

Por ndonëse me mbërritjen e stinës së ftohtë, gjendja po rëndohet edhe aty si në mjaft pjesë të tjera të kontinetit të vjetër, ka zëra që mendojnë se situata nuk është aq alarmante saç e bëjnë autoritetet.

Një prej tyre është reporteri Ross Clark i “Daily Mail”. Ai kujton se në korrik, një raport i hartuar nga këshilltari i parë shkencor i qeverisë, Sir Patrick Vallance vlerësonte se do të kishte 119,000 vdekje nëse një valë e dytë përkiste me gripin sezonal. Aktualisht, kjo shifër është më pak se 54.200, thotë Vallance.

Ai vazhdon t’i mëshojë idesë se vala e dytë po bie në vend, nisur nga numri i infektimeve të reja që është aktualisht 22.200 nga 24.430 që ishte përpara një jave. Ishte parashikuar që deri në mesin e tetorit, rastet ditore në Mbretërinë e Bashkuar të kapërcenin 50.000, por as që i jemi afruar asaj shifre thotë reporteri.

Vallance pretendon se spitalet nuk e kanë arritur kapacitetin e tyre e madje thotë se në këto momente, vetëm 13% e shtretërve të NHS-së janë zënë nga pacientë me Covid-19. Madje në artikullin e tij për të përditshmen e njohur thuhet se numri total i shtretërve të zënë të NHS England është më i ulët sesa mesatarja e vitit që shkoi.

Ai nuk e mohon që disa spitale janë nën presion, dhe mund t’i kenë të mbushura terapitë intensive, por kjo siç thotë, nuk ndodh kudo. Më tej nënvizon se viktimat janë përgjithësisht të moshuar, ndërsa insiston se shumica e atyre që kanë ndërruar jetë kishin sëmundje ekzistuese.

Ekspertët ndërkohë thonë se izolimi po jep shenja se është duke funksionuar, pasi vërehet një ngadalësim i përhapjes së infeksionit. Kështu duket është ulur si numri i rasteve të reja, ashtu edhe shtrimet në spital.