
Reshjet e borës të rëna ditët e fundit kanë mbuluar zonat malore të veriut të Shqipërisë. Këto pamje vijnë nga Razma në Malësinë e Madhe….
Pavarësisht pamjes së bukur nga petku i borës në fshatrat turistik, disa akse rrugore janë bllokuara ndërsa të tjera paraqesin vështirësi në kalimin e automjeteve. Kështu në bashkinë Shkodër i bllokuar është aksi Kir – Shosh në Malin e Shoshit në zonën e Dukagjinit për shkak se trashësia e borës arrin mbi 30 centimetër. Ndërkohë edhe në anën tjetër që lidh Shkodrën dhe Malësinë e Madhe me Dukagjinin, në Qafë Thore ka reshje bore por për momentin raportohet se ai aks është i kalueshëm por për të shkuar drejt fshatit turistik të Thethit drejtuesit e automjeteve duhet të jenë të kujdesshëm. Rrugët e tjera të bashkisë Shkodër janë të hapura dhe nuk paraqesin probleme. Në bashkitë Malësi e Madhe, Vau Dejës dhe Pukë akset rrugore janë të zhbllokuara nga bora dhe automjetet të paktën deri më tani mund të kalojnë sipas raportimeve nga emergjencat civile për secilën prej bashkive. Në bashkinë Fushë Arrës reshjet e borës vijojnë me intensitet të lartë dhe trashësia atje arrin deri në rreth 20 cm ndaj akset rrugore atje janë të kalueshme me vështirësi për shkak të borës dhe ngricave ndaj nevojitet që automjetet të jenë të paisura me zinxhirë për të shmangur çdo problem të mundshëm. Autoriteti Verior Rrugorë në Shkodër raporton se akset që ka nën juridiksion janë të kalueshme dhe se gjatë mbrëmjes të djeshme është hedhur sasi kripe nga firmat mirëmbajtëse në akset që kanë paraqitur probleme. Ndërkohë një shqetësim në këto zona mbetet mungesa e energjisë elektrike. Kështu në fshatrat Shalë dhe Shosh të bashkisë Shkodër ka mungesë të energjisë elektrike si dhe është i stakuar fidri 6 dhe 8 nën nënstacionin e Velipojës. Në Malësinë e Madhe në njësinë Shkrel ka ndërprerje të herë pas hershme, njësia Kelmend prej dy ditësh është pa energji elektrike ndëra Vermoshi prej tre ditësh nuk furnizohet. OSHEE bën të ditur se në Kelmend janë 200 abonentë pa energji për shkak se shtyllat janë të veshura me akull dhe ndodhen buzë humnerave. Ndërkohë probleme me energjinë elektrike ka edhe në bashkinë Fushë Arrës teksa që nga 25 nëntori janë në errësirë njësitë Qafë Mali dhe Iballë.