Qyteti i Shkodrës sot është zbardhur nga dëbora. Reshjet kanë rënë gjatë natës si pasojë e uljes së ndjeshme të temperaturave dhe vijojnë edhe gjatë paradites së sotme.

Si rezultat i këtyre reshjeve është krijuar gjendja si më poshtë:

Në Njësitë Administrative të zonave malore të Bashkisë Shkodër është bërë hapja e rrugës Prekal-Dukagjin ditën e shtune. Gjatë ditës së djeshme e në vazhdim rruga është e bllokuar pasi trashësia e dëborës arrin deri në 1m (Mali i Shoshit).

Ndërkohë qëndrojnë të stacionuara mjetet atje të cilat pas pushimit të reshjeve janë të gatshme për të ndërhyrë për hapjen e rrugës.

Ndërsa përsa i përket zonave fushore që ditën e shtune Bashkia Shkodër ka marrë të gjitha masat e nevojshme për përballimin e situatës me mjete, fuqi punëtore dhe bazë materiale në rast të bllokimit të rrugëve.

Në zonat urbane, deri tani nuk ka pasur probleme. Ndërkohë po monitorohet situata në vazhdimësi dhe pasdite do të vlerësohet nevoja për ndërhyrje.

Për përballimin e situatës Bashkia Shkodër ka kapacitetet e nevojshme me mjete, fuqi punëtore dhe ka në gjendje 70 t kripë të zezë për të bërë të mundur hapjen e rrugëve në rast bllokimi.

Situata e furnizimit me ujë të popullatës në qytet dhe Njësi Administrative paraqitet normale.

Qendrat shëndetësore funksionojnë normalisht në qytet dhe Njësi Administrative .
Institucionet arsimore kanë vazhduar mësimin normalisht me përjashtim të 3 Njësive Administrative të zonave malore që nuk është zhvilluar mësim për vështirësitë në qarkullim nga intensiteti i reshjeve të dëborës.