Ende bordi i Vllaznisë nuk marrë përfundimisht formë ligjore për të nisur veprimtarinë apo mbledhjet. Këtë javë pritet që të bëhet zëvendësimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve. Kjo procedurë nuk është kryer ende sepse merr pak kohë deri sa bordi i vjetër të zëvendësohet me bordin e ri.

Duke qenë se bordi ende nuk ka nisur zyrtarisht punën, asgjë nuk ka ndryshuar në ekipin e Vllaznisë. Këtë javë përveç regjistrimit pritet që 5-shja e zgjedhur dhe e votuar nga këshilli bashkiak i Shkodrës të bëjë edhe mbledhjen e parë për të marrë edhe vendimet më kryesore dhe për të diskutuar problematikat që ka klubi kuqeblu. Natyrisht që një prej temave do të jetë edhe çështja e trajnerit nëse do të ketë një teknik të ri apo do t’i besohet Armir Grimës deri në fund ashtu siç pjesë e diskutimeve pritet të jetë edhe ana financiare se si do të zgjidhet gjatë kohës që bashkia Shkodër po përgatit buxhetin për vitin e ardhshëm. Natyrisht që në takimet e para nuk mund të përjashtohet çështja e lojtarëve që erdhën në merkaton e verës tek Vllaznia por që dështuan duke qenë se kuqeblutë përpëliten në vendet e fundit të rrezikuar më shumë se kurrë për rënien nga Superliga. Të gjitha këto pritet që të marrin zgjidhje dhe rrugën e duhur pas takimeve të para të bordit të ri që përbehet nga Mark Laloshi, Shpëtim Quku, Admir Teli, Benjamin Nako dhe Sytki Muça. Nga sa mësohet paraprakisht ky këshill mbikqyrës nuk do të tolerojë në vendimarrje si e vetmja mënyrë për të nxjerrë sado pak Vllazninë nga kjo situatë e vështirë në të cilën ndodhet.