
Tenderi i pastrimit dhe një sqarim i bërë nga kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi pas protestës së disa punonjësve si shkak i ndërrimit të firmave, ka sjellë një reagim të Florian Borshit, administrator i firmës Borshi sh.p.k e cila kishte deri më tani kontratën me bashkinë Shkodër për pastrimin.
Borshi tenderin e pastrimit të bashkisë e cilëson si të parregullt duke bërë fajtore kryebashkiaken Voltana Ademi por edhe gjykatën e shkallës së parë administrative në Tiranë. Kjo gjykatë sipas Borshit nuk ka marrë parasysh vendimin e Komisionit të Prokurimeve Publike që ka rrëzuar firmën Alko Impex duke i dhënë të drejtë në çështjen që kjo firmë ka me bashkinë Shkodër.
Tashmë firma Borshi sh.p.k ka nisur një betejë ligjore edhe ajo ndërsa ka kërkuar në gjykatën administrative në Shkodër anulimin e tenderit të pastrimit dhe i ka bërë një padi penale kryebashkiakes Ademi për “shpërdorim detyre”.
Borshi ka dyshime se bashkia Shkodër, firma Alko Impex e nipit të deputetit të PS Sadri Abazi dhe gjykata administrative e shkallës së parë në Tiranë kanë bashkëpunuar nën dorë. Borshi këto dyshime i ka krijuar nga fakti se në negociatat 3-mujore që po bën bashkia, ka ftuar sëfundmi pikërisht edhe firmën Alko Impex me të cilën ka një betejë ligjore ndërsa më përpara i ka pranuar edhe liçensën edhe pse nuk është ajo liçencë që bashkia ka kërkuar në fillim.
Sipas Borshit një vit më parë bashkia Shkodër ka shkuar deri aty sa tentoi të merrte makina me qera për ta bërë vetë pastrimin, vendim antiligjor sipas Borshit. Po ashtu ka një shkelje sepse tenderi i pastrimit nuk u bë në kohën e duhur ndërsa kryebashkiakja ka dhënë urdhër prokurimi për 5 vite në një kohë kur nga këshilli bashkiak ka të aprovuar vetëm 3 vite.
Kryebashkiakja Ademi shprehet Borshi nuk e ka pritur në zyrë edhe pse ia ka kërkuar disa herë.
Momentalisht për tenderin e pastrimit bashkia Shkodër ka dy beteja ligjore, tek njëra është palë paditëse ndaj firmës Alko Impex por ka dyshime për vërtetësinë e këtij procesi ndërsa në tjetrën është palë e paditur nga Borshi sh.p.k që kërkon anulimin e tenderit. Kjo histori e nisur më shumë se një vit më parë ka në brendësi interesa të forta, presione nga gjitha anët por edhe shuma të mëdha parash gjë e cila ka krijuar gjithë këtë situatë.






