Jetmir Sefa rrezikon që të mos aktivizohet me ekipin e Vllaznisë. Lojtari që erdhi në momentin e fundit të merkatos tek kuqeblutë ka një borxh prej dy vitesh ndaj Bylist, ekip me të cilin aktivizohej në atë kohë. Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të futbollit në një sërë vendimesh në pikën 7 urdhëron që Jetmir Sefa nuk do të lejohet të aktivizohet në asnjë aktivitet deri në përmbushjen e detyrimeve financiare që ndaj Bylisit.

Tashmë drejtuesit e Vllaznisë nuk do të kenë mbi kohë vetëm 9 lojtarët që për momentin kanë dëmtime të ndryshme por edhe këtë ngërç të Sefës me ish-ekipin e tij ballshiot. Kjo çështje zvarritet prej kohësh dhe më parë edhe dhoma e zgjidhjes së konflikteve detyroi lojtarin në fjalë që të paguaj shumë prej 10 milion lekësh të vjetra. FSHF që nga momenti i këtij konflikti krijoi edhe një paradoks sepse dhoma e zgjidhjes së konflikteve vendosi që lojtari t’i kthejë paratë Bylisit në një kohë që Sefa u aktivizua me ekipe të tjera pa u shqetësuar. Tashmë FSHF përmes komisionit të disiplinës bie ndesh me vetveten duke vendosur që lojtari që tashmë i përket Vllaznisë ose duhet të paguaj borxhin ose nuk mund të aktivizohet as në kampionat dhe as në takimet e kupës. Përtej këtij absurditeti, e rëndësishme është se tashmë Sefa nuk do mund të aktivizohet me Vllazninë derisa të paguaj shumën që FSHF e quan borxh të tij ndaj Bylisit. Vetë lojtari para dy viteve do deklaronte se “nuk isha i detyruar që të rinovoja edhe për një sezon sepse nuk ishim konsultuar ndërkohë që klubi donte të më mbante me çdo kusht duke më bllokuar për t’u larguar. Po ashtu në atë kohë presidenti Kapllanaj nuk më ka paguar tre rrogat e fundit të atij sezoni” dhe duke pretenduar se Bylis duhet të paguaj Sefën dhe jo e kundërta. Tashmë duhet parë se cili do të jetë vendimi i klubit Vllaznia nëse do të marrë apo jo përsipër shlyerjen e atij borxhi që e pengon Sefën të aktivizohet me kuqeblutë.

Artikulli paraprakLIDERI SERB KARAXHIÇ OPEROHET NË HOLANDË
Artikulli tjetërTË PLAGOSURIT NË SPITAL, MJEKU: JASHTË RREZIKUT PËR JETËN