Për tri ditë me radhë në datat 8, 9 dhe 10 tetor në Bosnje Hergovinë u organizua në sportin e xhudos turneu memorial “Milos Ostojiq”, i organizuar nga Xhudo Klub Randori dhe klubi i Xhudos Sparta. Në këtë turne morën pjesë 9 shtete me 859 sportistë në total. Në këtë aktivitetet të rëndësishëm mori pjesë edhe ekipi i Vllaznisë në xhudo.

Ky është turneu i parë që xhudistët e Vllaznisë marrin pjesë jashtë Shqipërisë që nga koha e pandemisë COVID-19. Xhudistët kuqeblu kanë bërë një paraqitje dinjitoze në këtë turne duke arritur kështu rezultate të larta. Në ditën e parë sportistja Krista Kovaçi në grupmoshën pioner të rinj në peshën 40 kilogram arriti të renditet në vend të tretë me dy ndeshje të fituara.

Ndërkohë Kasandra Kovaçi në peshën 63 kilogram arritin vendin e dytë në grupmoshën kadet me dy ndeshje të fituara. Në ditën e dytë garoi xhudisti i Vllaznisë Viktor Marku në peshën 46 kilogram në grupmoshën pioner i vjetër duke u renditur i treti. Për Viktor Marku ishte edhe turneu i parë ndërkombëtar në të cilin mori pjesë duke arritur kështu një rezultat pozitiv.

Dy xhudistet e tjera që arritën një rezultat të lartë Krista dhe Kasandra Kovaçi u ndeshën me një grupmoshë më të madhe por pavarësisht kësaj treguan një performancë pozitive edhe pse sfidat i kishin më të forta se në ditën e parë.

Pjesëmarrja e Vllaznisë në xhudo në këtë turne u mundësua nga interesimi që kanë patur vetë prindërit e sportistëve si dhe akomodimi nga marrëveshja dhe bashkëpunimi me klubet pjesëmarrëse në turneun memorial “Milos Ostojiq” në Bosnje Hercegovinë në pjesën lindore të Sarajevës.

Skuadra e Vllaznisë në xhudo vijon që të bëjë paraqitje dinjitoze dhe të arrijë rezultate të larta në turnetë ndërkombëtar duke sjellë kështu medalje në Shqipëri. Edhe në turnetë e tjerë kuqeblutë e xhudos synim kanë arritjen e rezultateve të larta.