Bota i ka dhënë sot lamtumirën e fundit Atit të Shenjtë Papa Françeskut. Në orën 10:00, procesioni i kardinalëve në Bazilikën e Shën Pjetrit shënoi fillimin e ceremonisë mortore. Arkivoli i kreut të Kishës Katolike u mbajt mbi supe nga sediarët, duke dalë nga Bazilika e Shën Pjetrit.

10 mbretër dhe mbretëresha, 50 krerë shtetesh, 23 kryeministra, delegacione nga 160 vende, rreth 4000 meshtarë dhe mbi 200 mijë besimtarë nga e gjithe bota ishin të pranishëm në ceremoni. Nga Shqipëria në ceremoni ishte I pranishëm presidenti Bajram Begaj me bashkëshorten e tij, ministri i Jashtëm Igli Hasani, ministrja Adea Pirdeni, si edhe ambasadorja e Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Frangaj. Po ashtu, morën pjesë edhe krerët fetarë në Shqipëri: Kreu i Kishës Katolike, Arjan Dodaj, Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, Kryegjyshi i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Kryepeshkopi i Ortodoksëve, Joani si dhe kardinali Ernest Troshani.

Kardinali Giovanni Baptista Re, dekani i Kolegjit të Kardinalëve, në predikimin e tij, tha se Papa Françesku ishte një papë mes njerëzve, me zemër të hapur ndaj të gjithëve. “I dashur Papa Françesku, tani ju kërkojmë të luteni për ne, bekojeni Romën dhe bekojeni të gjithë botën, siç bëtë të dielën e kaluar nga ballkoni i kësaj bazilike në një përqafim përfundimtar me të gjithë njerëzit e Zotit-tha ne predikimin e tij kardinali Baptista.

Funerali i Papa Françeskut perfundoi pas 2 orësh e 10 minutash. Arkivoli i Atit te Shenjte eshte transportuar përtej lumit Tiber në Bazilikën e Romës “Santa Maria Maggiore”. Shërbesa përfundoi me Kantikun e Virgjëreshës së Bekuar, të njohur edhe si Magnificat. Papa Françesku do të prehet në një arkivol të thjeshtë prej druri dhe në vend që të varrosej në tre arkivole, ai kishte kërkuar që të varrosej vetëm në një. Ceremonia e varrimit, është zhvilluar me dyer të mbyllura, dhe është kryesuar nga kardinali Camerlengo Kevin Farrell, i cili do të drejtojë punët e përkohshme të Kishës deri në zgjedhjen e pasuesit të Papës.

Në respekt të Papa Françeskut, qeveria ka shpallur datën 26 prill në Shqipëri ditë zie kombëtare. Flamujt në të gjitha institucionet shteterore janë ulur në gjysëmshtizë.

Artikulli paraprak“AUTORË SHKODRANË NË BOTIMET E BARD BOOKS”
Artikulli tjetërARBEN LUSHAJ: ZOOTEKNIKA TOTALISHT NË HARRESË