Braktisën 1.2 ton kanabis në kamion, arrestohen pas një viti trafikantët

Arrestohen tre personat të cilët u kapën në tentativë për të trafikuar 1.2 ton kanabis nga brigjet e Vlorës drejt Italisë, në dhjetor të 2016. Uniformat blu kanë vënë në pranga shtetasit Fatmir Face, Saimir Osmria dhe Murat Marta. Me kërkesë të prokurorisë gjykata ka caktuar ndaj tyre masën e sigurosë arrest me burg. Në bazë të veprimeve hetimore nga prokuroria ka rezultuar se “më datë 23.12.2016 nga ana e punonjësve të policisë së kufirit dhe migracionit Vlorë gjatë patrullimit që ata kryenin në breg të detit mes stacionit te policise kufitare dhe molit qe sherben per ankorimin e anijeve ne Petrolifere është konstatuar një automjet”. Në momentin që është afruar policia, personat që kanë qënë në mjet janë larguar me shpejtësi duke lënë mjetin e braktisur. “Në momentin që janë afruar tek mjeti forcat e policisë kanë konstatuar se mjeti ishte një kamion tip frigoriferik, ku pranë tij në tokë janë gjetur pako të mbështjella me natriban. Gjithashtu është vënë re se dhe në brendësi të automjetit ka patur pako të tjera të mbështjella me natriban. Fillimisht për shkak të karakteristikave të pakove të gjetura të cilat janë sekuestruar më pas me cilësinë e provës materiale është dyshuar se në to, të gjendeshin lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa” sqaron Prokuroria. Nga ana e forcave të policisë janë kryer veprimet e para hetimore me iniciativë duke u sekuestruar lënda e dyshuar si narkotike. Në afërsi të mjetit të ngarkuar me lëndë narkotike janë gjetur dhe dy mjete të tjera. Në mjetin kamion janë gjetur 116 njëqind e gjashtëmbëdhjetë pako të mbështjella të cilat pas peshimit rezulton të kenë peshën 1240 kg e 100 gramë. Duke qënë se në afërsi të mjetit tip kamion është gjetur nje karele që transporton mjete ne det, ceshtja eshte regjistruar per veprën penale të Trafikimi i Narkotikëve mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim sipas parashikimeve të nenit 283/a/2 dhe 22 të Kodit Penal dhe hetimi i kaloi për kompetencë Prokurorisë për Krime të Rënda. Në vijim të veprimeve proceduriale, Prokuroria për Krime të Rënda ka evidentuar disa persona të dyshuar si pjesëmarrës në këtë aktivitet të paligjshëm dhe ka kërkuar në Gjykatën për Krime të Rënda caktimin e masës së sigurisë për personat e dyshuar, kërkesa e cila është pranuar nga gjykata. Ndërkohë që po vijojnë hetimet për rastin.