Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka marrë masa të rënda ndaj Egnatias, pas braktisjes së përkohshme të ndeshjes ndaj Vllaznisë në Rrogozhinë. Incidenti ndodhi në minutën e 71-të të sfidës së mbyllur 0-0, kur arbitri Florjan Lata ndëshkoi me karton të kuq mbrojtësin e Egnatias, Xhemajli, pas një dueli me Bekim Balajn. Vendimi solli reagim të fortë nga stafi dhe lojtarët vendas, të cilët u larguan për disa minuta nga fusha në shenjë proteste. Më pas, gjyqtari konfirmoi vendimin edhe pas verifikimit me VAR. Për këtë veprim, Egnatia është ndëshkuar me 500 mijë lekë gjobë dhe është paralajmëruar për masa më të rënda në rast përsëritjeje. Ndërkohë, Disiplina ka “goditur” rëndë edhe individët e përfshirë. Trajneri Edlir Tetova është pezulluar gjashtë muaj nga çdo aktivitet sportiv. Futbollisti Albano Aleksi do të vuajë pesë ndeshje pezullim. Ndërkohë, zyrtarët e tjerë të Egnatias të pezulluar me nga pesë ndeshje janë drejtori Klejdi Zenelaj, zv/trajneri Julian Brahja, trajneri i portierëve Taulant Guma, si edhe pjesëtarë të tjerë siç janë Emiliano Bishdili, Ilir Kapllani, Alban Hoxha dhe Aldo Sula. Në total, janë ndëshkuar 9 persona për shkelje të parimeve të fair-play dhe cenim të integritetit të garës. Në komunikatën e saj për shtyp, Komisioni i Disiplinës thekson se në raste të përsëritura të ndërprerjes apo braktisjes së ndeshjeve, klubet do të përballen me masa edhe më të ashpra, sipas Kodit të Disiplinës dhe Etikës.

Artikulli paraprakNDOTJA NË LUMIN MAT VË NË LËVIZJE INSTITUCIONET
Artikulli tjetërGJYKATA KUSHTETUESE: GJATË 2025 PATËM 605 ÇËSHTJE, DHAMË 429 VENDIME PËRFUNDIMTARE!