E gjendur vetëm katër kilometra larg qytetit të Shkodrës, Bregu i Ranës është plazhi që të gjithë e kanë braktisur.

Edhe pse një mrekulli e natyrës, ajo pjesë piktoreske e liqenit të Shkodrës është shndërruar si mos më keq. Fillimisht rruga që të çon tek ky plazh ngjan me një aks të abandonuar. Janë afro 3 kilometër tërësisht të amortizuara për të cilat askush nuk ka menduar në 25 vite. Sapo mbërrin tek Bregu i Ranës, pamja fillimisht është magjepëse. Uji, qetësia absolute dhe Shiroka me malin e Taraboshit përballë të rrëmbëjnë. Përhumb thellë në natyrë e ndërsa çlirohesh në ajrin e pastër, klimën dhe pamjen e rrallë. Kaq mjafton për t’u ç’mallur për nostalgjikët. Gjërat kanë ndryshuar. Sot shumë pak pushues shkojnë aty. Një sasi e madhe barishtesh kanë uzurpuar të gjithë bregun dhe pjesa për të bërë plazh është zvogëluar jashtëzakonisht shumë. Përmbytjet e herë pas hershme kanë bërë që Bregu i Ranës të transformohet tërësisht. Me dhjetra metra uji është larguar nga bregu dhe ka mbetur tokë e thatë. Ata që kanë vite pa shkuar mund edhe mos ta besojnë se çfarë ka ndodhur. Lëvizja e është e rrallë. Mjedisi përreth ndodhet në mëshirën e fatit. Nëse Shiroka që gjendet përballë ka marrë një zhvillim, të paktën frekuentohet më shumë, ana tjetër, Bregu i Ranës është sikur të mos ishte pjesë e saj. Kontrast i madh. Edhe pse gjeografikisht shumë afër qytetit ka mbetur një vend shterpë. Çuditërisht në 25 vite më shumë ai plazh shërbeu për larjen e kuajve. Askush nuk mendoi për ta kthyer në një aset të pasur turistik. Nga Bregu i Ranës, mundësitë janë të mëdha për t’u lidhur me Shirokën, Zogajn, lumin Buna apo edhe ishujt aty përreth por për drejtuesit kjo mund të tingëllojë edhe qesharake. Për të mos përmendur llojet e shpendëve, të peshqëve, llojet e bimëve ujore, livadhet nënujore, algat e mikroalgat e gjelbra që nuk ekzistojnë më bashkë me florën drunore që është dëmtuar në masë. Një harmonizim natyror që sot është zhdukur. Në Bregun e Ranës dikur kishte edhe një kamp për fëmijët dhe mbipopullohej por që atëherë e sot kanë mbetur vetëm në letra ose nostalgji e shkodranëve.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakARKIVI VENDOR AKOMA NË PRITJE TË DOKUMENTAVE
Artikulli tjetërBY PASS-I “LANDFILL” MBETURINASH, RREZIK PËR BANORËT E “ZOOTEKNIKËS”