Bashkia Shkodër pas konstituimit para pak ditëve dhe nisjes zyrtare të punës nga kryetarja e re Voltana Ademi e po ashtu edhe pas prezantimit të disa prej administratorëve në ish-komunat pritet që në ditët e para të shtatorit të ketë një tjetër mbledhje. Nga sa bëhet e ditur brenda datës 7 shtator këshilli bashkiak i Shkodrës do të mblidhet sërish për të bërë bashkimin mekanik të buxheteve të 10 ish-komunave që tashmë do jenë pjesë e bashkisë së madhe të Shkodrës në bazë të reformës administrative-territoriale.

Aty do të ketë vetëm një mbledhje matematikore, pra shuma e buxheteve të 10 ish-komunave do t’i shtohet buxhetit aktual që ka bashkia Shkodër. Në mbledhjen e parë pas asaj të konstituimit, nuk do ketë ndryshime në zëra që kanë të bëjnë me investimet apo shërbimet qoftë në buxhetin e bashkisë së Shkodrës i miratuar në fillim të vitit por as në buxhetet e 10 njësive të tjera administrative po ashtu të miratuara nga ish-këshillat bashkiak të komunave të mëparshme. Natyrisht që për 10 ish-komunat do të do të bëhet edhe bilanci përkatës se në çfarë gjendje është ana financiare e tyre. “Star Plus” ka arritur të mësojë se të paktën gjysma e ish-komunave kanë borxhe të ndryshme që nuk i kanë shlyer kryetarët e mëparshëm dhe administrate e tyre deri në ditën e fundit që kanë drejtuar. Në një përllogaritje borxhet në total të njësive administrative janë afërsisht 150 milion lekë të vjetra. Kryesisht janë detyrime të pashlyera ndaj kompanive të pastrimit, fatura të energjisë elektrike të papaguara apo edhe gjyqe të humbura. Ky borxh është i akumuluar deri në momentin kur në degën e thesarit të Shkodrës janë ngrirë numrat e llogarisë dhe në këtë mënyrë pas ditëve të para të korrikut e deri më tani, borxhet edhe mund të jenë shtuar për shërbimet që mund të kenë kryer firmat e nënkontraktuara apo të tretët. Edhe borxhi prej 150 milionësh lekësh të vjetra nuk është pak për bashkinë e re të Shkodrës edhe pse qeveria do të shpërndajë fondin tranzitor prej 1.8 miliard lekë për 61 bashkitë e reja që ka të bëjë me zbatimin e reformës së administrative-territoriale. Pas këtij momenti buxhetet edhe mund të pësojnë ndryshime në ato pika ku mund të duhen investime të menjëhershme.

Artikulli paraprakFESTIVALI I GJIROKASTRES SILLET NË SHKODËR NËPËRMJET FOTOVE
Artikulli tjetërUZURPOHEN PISHAT NË VELIPOJË, VENDPARKIME TË PALIGJSHME