Trafik njerëzish me gomone nga brigjet e Francës në ato të Anglisë, ku të përfshirë ishin një grup trafikantësh shqiptarë, tashmë të arrestuar nga policia franceze.

Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja britanike “Daily Mail”, e cila ka mundur të sigurojë fotot e një gomoneje që kishte sjellë emigrantë në zonën e Kentit, në jug të Anglisë. I rekrutuari për të ndërmarrë këtë operacion trafikimi është francezi David Turpin, i fotografuar mbi gomone menjëherë sapo ka mbërritur në brigjet angleze. Sipas “Daily Mail”, peshkatari francez Turpin besohet se sapo kishte sjellë një grup emigrantësh nga zona e Calais (Kale) në Francë, të cilët kishin paguar 10 mijë sterlina secili. Gjatë marrjes në pyetje nga policia, ai tha se kishte ngatërruar rrugën gjatë natës në det dhe se gomonia i ishte prishur në zonën e Kentit. Policia thotë se ai nuk dha sqarime për gjetjen e 16 jelekëve të shpëtimit, në gomonen që kushton 40 mijë sterlina. Po ashtu, francezi nuk dha shpjegime edhe për hartën elektronike të vijës së peshkimit, që ai kishte ndjekur. Banorët e zonës së Kentit e gjetën peshkatarin të vetmuar, mbi gomone në breg të detit, moment që edhe e fotografuan atë. Ai u tha atyre se, ishte i gatshëm t’u paguante menjëherë 2800 sterlina për ta fshehur gomonen, në mënyrë që ta merrte një ditë më pas. Turpin u arrestua në zonën Dunkirk në Francë, së bashku me pesë persona të tjerë, të përfshirë në një rrjet trafikimi njerëzish të drejtuar nga shqiptarë. Secili nga pjesëtarët e grupit të trafikantëve rrezikon të dënohet deri në 10 vite burg. David Turpin akuzohet se ka vënë në shërbim të trafikut gomonen e peshkimit. Policia franceze mendon se ai paguhej me 1000 sterlina për çdo person që çonte në Angli, ndërsa në momentin e arrestimit, kreut të këtij grupi trafikantësh iu gjetën të fshehura 90 mijë euro.