Anëtarët e Parlamentit britanik kanë votuar në masë për të lejuar nisjen e procesit të daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, në votimin e fundit për pr/ligjin e Brexit.

Pr/ligji u aprovua nga 494 vota pro kundrejt 122 kundër dhe tani topi kalon në Dhomën e Lordëve, që do të thotë fjalën e fundit. Sekretari për Ekonominë nga radhët e opozitës ishte një prej 52 deputetëve laburistë që sfidoi urdhërin e partisë për të mbështetur draftin dhe u largua nga ulësja në radhë të parë. Zoti Lewis, i cili më herët ishte i pavendosur nëse do të jepte mbështetjen e tij, njoftoi dorëheqjen në momentin kur deputetët filluan të votonin për herë të fundit. “Nuk mundem, që me vetëdijen time të votoj për diçka që besoj se do të dëmtojë qytetin të cilin unë kam detyrën dhe nderin të përfaqësoj”, tha Lewis. Ndërsa lideri Jeremy Corbyn tha se i kuptonte vështirësitë që votimi paraqiste për disa nga deputetët e tij, por ai theksoi se ata ishin urdhëruar që të mbështesnin nenin 50, pasi partia nuk do ta bllokonte ligjin. Kryeministrja Theresa May synon të nisë bisedimet për daljen nga BE në fund të marsit. Ajo do ta bëjë këtë duke u bazuar në nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, gjë që kërkonte votimin në Parlament.