Më 24 gusht Prishtina dhe Beogradi zhvillojnë takimin e radhës të nivelit teknik, ndërsa një ditë më pas është paralajmëruar të zhvillohet një takim mes kryeministrave Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiç. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thotë se një prej temave më të vështira mbetet ajo e krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe.

Por Beogradi kërkon kompetenca ekzekutive për Asociacionin Serb. Kryeministri i Serbisë, Aleksanadar Vuçic kishte paralajmëruar mundësinë që temat e hapura në dialogun me Prishtinën të përmbyllen deri në fund të muajit gusht, por duket se kjo nuk do të jetë e mundur. Delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian po përpiqen të finalizojnë marrëveshjet për kodin telefonik të Kosovës, pastaj atë për energjinë, si dhe marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe heqjen e barrikadës të quajtur “Parku i Paqes”, mbi urën e lumit Ibër. Pas takimeve që do të kenë delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi, pritet që të mbahet edhe takimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në lidhje me projektet e përbashkëta rajonale.
EUROZONA MIRATON NDIHMËN FINANCIARE PËR GREQINË.
Ministrat e Financave të Eurozonës njëzëri miratuan planin e ri të ndihmës financiare për Greqinë, një paketë kjo e domosdoshme për vendin në krizë, për të paguar këstin e rradhës së borxhit që shteti helen i detyrohet huadhënësve ndërkombëtarë. Marrëveshja e re përmban rritje të taksave dhe reduktime të mëtejshme të shpenzimeve, për ti mundësuar shtetit helen paketën e 3 të ndihmës në 5 vite. Pas bisedimeve që zgjatën për 6 orë mes kryefinancierëve të Eurogrupit, tashmë Greqisë do ti disbursohet huaja prej 86 miliard eurove, përgjatë 3 viteve të ardhshme. Pjesa e parë e paketës së ndihmës do të përdoret për të paguar borxhet, ndërsa pjesa e dytë do të duhet të ndahet përgjysmë, 50% do të përdoret kundrejt borxhit dhe pjesa tjetër mund të investohet nga Greqia. Deri më 20 gusht, qeveria në Athinë do të duhet ti shlyejë kreditorit të saj më të madh, Bankës Qëndrore Europiane borxhin prej 3.2 miliard eurove. Nëse Greqia dështon, BQE do ti japë fund ndihmës për shtetin helen.

Artikulli paraprakMOTRAT KAJTAZI RRËFEN NË 88 MINUTA VIDEO NË YOUTUBE
Artikulli tjetërSUPERLIGA, SHTYHET JAVA E PARË PËR VLLAZNINË