
Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s përfunduan takimin e tyre të fundit në Bruksel, para samitit të pritshëm në Hagë. Në fokus të diskutimeve ishin rritja e shpenzimeve të mbrojtjes dhe ndarja e qartë e objektivave për vitet e ardhshme. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, konfirmoi se të gjithë aleatët, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë zotuar për një rritje të konsiderueshme të buxhetit të mbrojtjes. Në përfundim të takimit, Mark Rutte deklaroi se është arritur dakordësi për një sërë objektivash të rinj dhe ambiciozë, që synojnë forcimin e aftësive të përbashkëta mbrojtëse të aleancës. Këto përfshijnë mbrojtje ajrore të avancuar, avionë luftarakë të gjeneratës së re, dronë ushtarakë, forca tokësore të përmirësuara me tanke moderne, rritje të kapaciteteve logjistike dhe të personelit. Sipas Rutte, këto investime janë jetike për të ruajtur sigurinë e qytetarëve dhe për të garantuar një mbrojtje të fuqishme ndaj çdo kërcënimi të mundshëm. Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte rritja e shpenzimeve për mbrojtjen në nivelin e 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Kjo kërkesë, e mbështetur fuqishëm nga SHBA-të, tashmë është bërë një synim i përbashkët për të gjitha vendet anëtare. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka shtuar presionin ndaj aleatëve që të rrisin angazhimet financiare të tyre. Ndërkohë, Rutte konfirmoi se edhe SHBA-të janë zotuar ta zbatojnë këtë objektiv:
“SHBA-të do të investojnë 3.5% në shpenzime bazë për mbrojtjen dhe 1.5% në siguri dhe investime të lidhura me mbrojtjen”, tha ai.
Në përgatitje për samitin e NATO-s në Hagë, Mark Rutte deklaroi se do të propozojë një plan të përgjithshëm investimi, i cili do të udhëhiqet nga ky objektiv 5%. Ai shtoi se kjo është tani “puna që na pret”, duke theksuar nevojën për vendime të guximshme për të përballuar sfidat e reja të sigurisë. Ky takim në Bruksel konfirmon përkushtimin e vendeve anëtare të NATO-s për të forcuar aleancën dhe për të rritur aftësitë e saj përballë sfidave të sigurisë globale. Me mbështetjen e plotë për përpjekjet diplomatike dhe me një strategji të qartë për investime, NATO po ecën drejt një faze të re të forcimit të saj strategjik.