Kryeministri Edi Rama, në vijim të vizitës në Bruksel, është pritur në një takim nga Presidenti i BE, Donald Tusk.

Pas takimit, Rama dhe Tusk dhanë një konferencë për shtyp, ku kreu i BE vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria, të cilat sipas tij janë shembull për rajonin. “Reformat tuaja të guximshme janë shembull për rajonin. Jemi në të njëjtën anë. Bashkëpunimi dhe bisedimet tona për të ardhmen europiane. Ju keni vetëm miq në Bruksel. Rikonfirmoj se vlerësojmë vërtetë procesin tuaj të thellë e të guximshëm të reformave”, u shpreh presidenti i BE, Donald Tusk.

Lidhur me takimin, Tusk ka shkruar edhe në rrjetet sociale ku e ka cilësuar të frytshëm takimin me Ramën, përpara mbajtjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor në maj të vitit të ardhshëm në Bullgari. “Takim i frytshëm me kryeministrin shqiptar përpara Samit të Ballkanit Perëndimor më 17 maj në Sofje të Bullgarisë. Duhet të mbahet vrulli i tanishëm për reformat e sundimit të ligjit për të avancuar në rrugën drejt BE-së”, shkruan ai.