Derdhja e ujërave të zeza në lumin Buna dhe më pas shpërndarja e tyre edhe në një pjesë të liqenit të Shkodrës po ndot ndjeshëm prej vitesh hapësirën lumore, liqenore e detare.

Shpeshherë, specialistët e mjedisit dhe aktivistët e shoqërisë civile kanë denoncuar situatën problematike, e cila sipas tyre ka shkaktuar viti pas viti largimin ose dëmtimin e resurseve peshkore.

Ndërkohë, hedhja e materialeve plastike në ujërat e lumit Buna është një tjetër problem i shfaqur, që sipas administratës së zonave të mbrojtura mbërrin deri në detin Adriatik.

Kështu ujërat e zeza dhe mbetjet plastike të depozituata në lumin Buna, po ndikojnë vazhdimisht në ndotjen e Liqenit të Shkodrës, të bregdetit në Velipojë dhe rezervatit të mbrojtur tokësor dhe hapësirave ligatinore përreth tij.