BAJERN ZHGËNJEN PLOTËSISHT, HUMBET 4-1 NDAJ VOLFSBURG. Bajerni i Mynihut ka zhgënjyer totalisht në ndeshjen e parë zyrtare për vitin 2015, teksa u mposht 4-1 nga Volfsburgu. 

Në “Volkswagen Arena” bavarezët pësuan gol që në 4 minutat e para, ku për vendasit shënoi Dost. Pavarësisht përpjekjeve në 45 minutat e para për të gjetur golin e barazimit, të besuarit e Guardiolës nuk mundën të shënonin, madje në minutën e fundit të pjesës së parë ishte sërish Dost që dyfishoi shifrat me një gol të mrekullueshëm. Në disavantazh të dy golave, Bajerni i Mynihut e nisi pjesën e dytë i hedhur i tëri përpara, por kundërsulmi i vendasve ishte ‘vrastar’ dhe vetëm 8 minuta pas nisjes së kësaj pjese ata arrijnë të shënojnë edhe golin e tretë, këtë herë me De Bruyne. Bernat, në të 55-ën ngushtoi diferencën, duke e çuar rezultatin në 3-1, por vetëm kaq, pasi bavarezët nuk mundën më të shkonin te goli, ndërsa vendasit shënuan edhe të katërtin, sërish me De Bruyne. Me këtë fitore Volfsburgu shkoi në kuotën e 37 pikëve, duke shkurtuar diferencën në 8 pikë nga Bajerni kryesues.