Burg për ndotësit e ambientit, 15 vite po hodhe vajra në det

“Kodi penal është hartuar që në vitin 1995. Ligjet që kemi njësuar, flasin qartazi që ndotësi duhet të paguajë, por institucionet ligjzbatuese hasin vështirësinë e vakumit ligjor për të mos penalizuar”, shprehet ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Për të plotësuar këtë vakum ligjor, Ministria e Mjedisit propozon disa ndryshime në Kodin Penal që parashikojnë deri në 15 vite burg për autorët e krimit mjedisor, si në rastin e prerjes së pyjeve në mënyrë të paligjshme. Dëmtimi i pyjeve është shkaku kryesor i përmbytjeve me të cilat përballet vendi, në çdo sezon dimëror. Ndaj, ministria propozon shtimin e veprës penale “Shkaktim i Fatkeqësive Mjedisore”, për të cilën parashikohet 5 deri në 15 vite burg. E njëjta masë propozohet edhe për veprën penale “Ndotje e Ujërave Detare nga mbetjet vajore dhe hidrokarburet”. Kurse për rastet e “Shkatërrimit të Monumenteve të Natyrës, Fondit Pyjor dhe Zonave të Mbrojtura”, dënimi i parashikuar është nga 1 deri 5 vite burg. Paketa e plotë me të gjitha amendimet e Krimeve Mjedisore në Kodin Penal do të dorëzohet brenda vitit 2016 në Ministrinë e Drejtësisë.