Bushati: BE po e thotë troç, negociatat varen nga zbatimi i reformës në drejtësi

Këshilli Europian rikonfirmon qartazi perspektivën europiane të rajonit tonë dhe thekson rëndësinë e përparimit në rrugën e reformave. Mirëpresim fokusin ndaj Ballkanit Perëndimor si një rajon jetik për BE-në dhe sigurinë kolektive dhe vëmendjen e përqëndruar të krerëve të shteteve dhe qeverive të shteteve anëtare, që evidenton vlerën e shtuar të rajonit për familjen europiane. Theksi vihet tek vazhdimi me vendosmëri i reformave, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe nismave gjithpërfshirëse rajonale. Progresi i arritur deri më tani, nxit angazhimin e Këshillit për të mbështetur të gjitha vendet e rajonit në çuarjen përpara të reformave dhe projekteve europiane. Për Shqipërinë është një aspiratë kombëtare, një interes i përgjithshëm dhe një punë e përditshme dhe e përkushtuar dhe rezultate të prekshme për qytetarët tanë. Ajo çfarë pritet nga ne është e qartë. Ne duhet të tregojmë përgjegjësinë kombëtare për të mos e vonuar më shumë afrimin me BE, dyert e së cilës mbeten të hapura për shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e rajonit tonë. BE po e thotë çdo ditë troç se hapi i ardhshëm i Shqipërisë – hapja e negociatave – varet nga zbatimi i reformës së sistemit të drejtësisë, në veçanti zbatimi i procesit të vettingut. Është koha që të hiqet dorë nga loja me lufra nga çadra e t’i hapet rruga jetësimit të një reforme thelbësore për demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Krijimi i organeve të vetingut nga Kuvendi do t’i jepte një sinjal të qartë partnerëve tanë europianë mbi vullnetin tonë për të vendosur sundimin e ligjit në vend. Interesi kombëtar e bën edhe më urgjente këtë hap në këtë kohë të trazuar në rajon.