Nuk ka kthim pas për reformën në drejtësi. Këtë garanci i përcolli në emër të qeverisë zyrtares së lartë të shtetit amerikan Nuland, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati gjatë një takimi në fokus të së cilit ishte bashkëpunimi në kuadër të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rëndësia e miratimit të reformës në drejtësi, bashkëveprimi për sfidat e sigurisë globale dhe perspektiva e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Bushati: “Këshillat e SHBA-së kanë qenë të çmuara dhe bashkëpunimi i ngushtë i tyre me BE-në, si dhe mbështetja e pakursyer për reformën tregon rëndësinë dhe koherencën e aksionit tonë të përbashkët. Për ne nuk ka as kthim prapa, as hollim të reformës. Ajo duhet të jetë rrënjësore sepse kështu e kërkon mbi 90% e shoqërisë sonë, e kërkon nevoja jonë për zhvillim”. Ministri Bushati e njohu znj. Nuland me zhvillimet më të fundit në vend, vendosmërinë e qeverisë shqiptare për miratimin e reformës në drejtësi, si një reformë e një rëndësie parësore në forcimin e shtetit ligjor në vend, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar në përforcimin e sundimit të ligjit në ekonomi dhe me impakt të drejtpërdrejtë në avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Ai falënderoi Ndihmës Sekretaren Nuland për mbështetjen e çmuar të Shteteve të Bashkuara për proceset demokratizuese, konsolidimin e shtetit ligjor dhe kryerjen e reformave duke theksuar se mbështetja dhe asistenca e ekspertëve amerikanë është e një rëndësie themelore për suksesin e reformës në drejtësi. Duke u ndalur në bashkëpunimin në kuadër të partneritetit strategjik, Ministri Bushati siguroi mbi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar si partner i vendosur përkrah SHBA-së për stabilitetin, paqen e prosperitetin në rajonin tonë e më gjerë, si dhe në drejtim të përballimit të sfidave të sigurisë globale. Ndihmës Sekretarja Nuland shprehu mbështetjen e SHBA-së në proceset demokratizuese, integrimin e mëtejshëm euroatlantik si dhe në prosperitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon. Ajo theksoi se reforma në drejtësi mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së.  

Artikulli paraprakBASHA PAS TAKIMIT ME NULAND: PD-ja KONTRIBUT TË JASHTËZAKONSHËM PËR REFORMËN
Artikulli tjetërATLETIKË, LUIZA GEGA SHPALLET NËNKAMPIONE EVROPE