Diaspora do të ketë një vëmendje të veçantë në vitin 2018 i shpallur prej qeverisë si viti i Skënderbeut. Ministri Ditmir Bushati organizoi një bashkëbisedim me bashkëkombas që jetojnë në Nju Jork ku deklaroi se tradita e takimit të bashkëatdhetarëve në Tiranë do të vazhdojë.

Po ashtu ai nënvizoi dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në votime.

Ditmir Bushati: ‘Ju shpreh mirënjohjen dhe në emër të kryeministrit Edi Rama për bashkëpunimin që patëm në samitin e parë të diasporës. Ne do të vazhdojmë këtë bashkëpunim edhe gjatë vitit të Skënderbeut. Do të organizojmë samitin e dytë të diasporës. Një angazhim i joni është që të bëjmë që shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut të kenë mundësi të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme politike. Si dhe do të punojmë për regjistrimin e shqiptarëve jashtë atdheut.”

Në takim mori pjesë dhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli i cili nënvizoi rëndësinë e takimeve të tilla.

Behgjet Pacolli: Falenderoj vëllanë tim, ministrin Bushati që nuk ka harruar të na ftojë në këtë event të rëndësishëm”

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Sesionin e 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara