
INVESTIME MË PAK, NË SHKURT PRITET MBLEDHJA E KËSHILLIT BASHKIAK. Përpilimi i buxhetit për Bashkinë e Shkodrës po shkon drejt fundit. Sot ka patur një tjetër takim pune për të diskutuar në lidhje me buxhetin e ri për vitin 2015.
Nga sa mësohet secila prej drejtorive po punon dhe parashikon buxhetin e ri ashtu siç ka funksionuar deri tani. Në këtë mënyrë reforma e re territoriale administrative që do të futet në fuqi pas zgjedhjeve lokale të 21 qershorit nuk është marrë parasysh sa i përket përpilimit të buxhetit. Po punohet deri në vijën e verdhë të qytetit pa përfshirë zonat tjera të cilat do të bashkohen me Shkodrën. Nga të dhënat e para nga 400 milionë lekë të vjetra që ishin parashikuar për vitin 2014, 360 milionë janë realizuar. 40 milionë që nuk janë realizuar kanë ardhur si shkak i bllokimit të lejeve të ndërtimit, taksës së ALUIZNIT që nuk është vjelur nga Bashkia dhe donacioneve më të pakta. Sipas burimeve konfidenciale pranë Bashkisë Shkodër mësohet se për vitin 2015, të ardhura të veta, Bashkia ka parashikua 360 milionë lekë të vjetra, 40 milionë më pak se pritshmëritë e 2014-ës, një rënie kjo për shkak se 2015-ta edhe në projekt-ligjin e ri është cilësuar si vit tranzitor. Kështu brenda javës së ardhshme pritet që buxheti të jetë i përfunduar dhe t’i dorëzohet antarëve të këshillit bashkiak për tu njohur me të para se të zhvillohet mbledhja për miratimin e buxhetit. Mbledhja për buxhetin pritet të jetë në gjysmën ose fundin e muajit shkurt. Sa i përket investimeve që mund të jenë gjatë këtij viti ashtu siç deklaruar për të mos thënë se s’do të ketë do të jenë shumë të pakta. Granti i Qeverisë për Bashkinë Shkodër këtë vit është afro 430 milionë lekë të vjetra, pra rreth 20 milionë më shumë se në vitin 2013, por nga ana tjetër ka një reduktim të buxheteve të Komunave të cilat pas 21 qershorit do të bashkohen me Shkodrën në një njësi të vetme administrative. Në këtë mënyrë, menaxhimi i buxhetit do të jetë një sfidë jo e lehtë për cilindo që pas 21 qershorit do të drejtojë Bashkinë Shkodër.