
Ka çelur kështu siparin në Koplik të Malësisë së Madhe koncerti “Fest Folk 2025”, edicioni i dytë i Ansamblit Popullor të Qarkut Shkodër, nën kujdesin e Këshillit të këtij qarku dhe Bashkisë Malësi e Madhe. “Fest Folk 2025”, që po kthehet në traditë, nisi kështu nga Malësia e Madhe udhëtimin artistik për këtë sezon, ku krahas artdashësve ishin të pranishëm edhe deputetja e Shkodrës, znj. Xhenis Çela, prefektja znj. Majlinda Angoni, drejtues të pushtetit vendor e të tjerë.
Ky aktivitet i bën jehonë trashëgimisë së pasur kulturore të Qarkut Shkodër. Në rastin konkret, artistët e Malësisë së Madhe interpretojnë në skenë vlerat muzikore të kësaj treve, që janë ruajtur dhe pasuruar gjithnjë nga shpirti artistik i popullit.
Më pas, në skenë ngjitet grupi artistik i Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci”, Shkodër. Shkrihen kështu hijshëm këngët qytetare shkodrane me ato të Malësisë së Madhe – lirika të paraqitura përmes teksteve që burojnë nga shpirti poetik, ku tingujt magjepsës të instrumenteve muzikore krijojnë një atmosferë tejet mbresëlënëse.
Aktivitete të tilla janë të mirëpritura, ndaj përgëzohet Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, Edmond Ndou, për përgjegjësinë që ka marrë për ta kthyer “Fest Folkun” në një traditë të përvitshme:
Ndërsa për At’ Pashko Gojçaj nga Tuzi, mirëpritet bashkëpunimi në këto aktivitete edhe me Malësinë përtej kufirit:
“Fest Folk 2025” nga Malësia e Madhe do të rrugëtojë drejt bashkive të tjera të Qarkut Shkodër, sipas një grafiku të posaçëm, ku angazhohen qindra artistë për të promovuar këngët, vallet dhe kostumografinë shumëngjyrëshe, duke dhënë kështu kontributin e tyre në ruajtjen e trashëgimisë sonë dhe vendosjen e saj në shërbim të zhvillimit të turizmit kulturor.






