Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, tha në një intervistë se ngjarja e Elbasanit nuk ka efekt pozitiv tek qytetarët, që do t’i drejtohen nesër kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e re.

“Nuk janë ngjarje të mira, padiskutim që jo, dhe e kanë atë efektin jopozitiv, madje mund të kenë dhe efekt negativ, por shpresojmë që në këto dy ditë mënyra se si drejtuesit dhe udhëheqësit politikë u janë drejtuar mbështetësve të tyre, të ketë ndikuar për një administrim më të qetë të procesit të zgjedhjeve. Ka një mungesë të theksuar mes palëve ndaj njëra-tjetrës, asnjëra nuk ndjehet e sigurt në atë se çfarë bën pala tjetër”, tha Celibashi.

Më tej, ai komentoi dhe takimet e fundit me ndërkombëtarët, duke thënë që ata kanë demonstruar një vëmendje të shtuar për këto zgjedhje, pasi cilësia e tyre është e lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

“Prej disa kohësh, muajsh, komunitet ndërkombëtar këtu në Tiranë, por edhe në Bruksel e Uashington, kanë demonstruar një vëmendje të madhe e të shtuar për zgjedhjet në Shqipëri, pasi është e qartë se cilësia e këtyre zgjedhjeve lidhet shumë me ecurinë e procesve integruese dhe duket sikur më të merakosur janë ndërkombëtarët për fatin e zgjedhjeve në Shqipëri, se sa ne, përfshi këtu gjithë shoqërinë. Kjo vëmendje e shtuar e komunitett ndërkombëtar tregon interesin e tyre për Shqipërinë. Fakti është se vëmendja e tyre është serioze dhe e përligjur. Na takon ne që t’i adresojmë mirë të gjitha shqetësimet e tyre. Siguria e procesit, garancia e votës, fshehtësia e votës, siguria që kjo votë është shprehje e vullnetit të lirë e të plotë të votuesit, janë shqetësimet e tyre kryesore”, u shpreh kreu i KQZ.

I pyetur nga gazetarja se kur mund të kemi rezultatin e zgjedhjeve dhe pse u vendos që numërimi për partitë dhe kandidatët të bëhej i ndarë, Ilirjan Celibashi sqaroi se “Jemi duke punuar, i kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe kemi marrë të gjitha masat që rezultatin, të paktën për partitë, ta kemi brenda 48 orëve. Nuk e pengon asgjë nga pikëpamja teknike dhe rregullatore. Shpresojmë që anëtarët e KZAZ-ve dhe grupeve të numërimit do ta kryejnë detyrën larg ndikimit politik dhe presionit të udhëheqjes politike dhe kandidatëve. Kjo do të jetë evidente dhe e qartë, kështu që çdokush që do të vërë në trysni procesin e numërimit, do të jetë qartësisht i parë nga institucioni dhe komuniteti ndërkombëtar. Mund të krijonte konfuzion dhe vonesa numërimi paralel i votave, pasi duam s’duam duhet të pranojmë se kemi konkurrimin e disa interesave, të partisë politike, por edhe të individëve, që shpeshherë është shumë i fortë dhe predominon interesin e përbashkët. Do mund ta vendoste procesin e nxjerrjes së rezultatit në rrezik”.

Artikulli paraprakNJË DITË PARA ZGJEDHJEVE, AMBASADA AMERIKANE: JEMI GATI! DO TË MONITOROJMË SI QENDRAT E VOTIMIT ASHTU EDHE ATO TË NUMËRIMIT GJATË GJITHË PROCESIT
Artikulli tjetërZGJEDHJET, LEZHA BËHET GATI. PËRFUNDON SHPËRNDARJA E MATERIALEVE ZGJEDHORE NË TË GJITHË QV E QARKUT