Skëndërbeu pak ditë më parë u njoh me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të Lozanës që e përjashton nga kupat e Europës për një sezon.

UEFA gjykoi se Skënderbeu trukoi ndeshje. Federata Shqiptare e Futbollit sqaroi me anë të drejtorit të saj juridik se ata presin zbardhjen e vendimit dhe më pas të shqyrtohet nga Komisoni i Etikës nëse ka ndeshje të dyshuara si të trukuara në aktivitetet e organizuara prej saj. Aldi Topçiu, Drejtor i Zyrës Juridike në FSHF: “Ne po presim arsyetimin e gjykatës dhe më pas do të mbajmë qëndrimin tonë. Garat Europiane, si Champions League dhe Europa League, nuk hyjnë në kompetencat e tona.” Në këtë mënyrë Skënderbeu rrezikon penalitete nëse vërtetohen se janë trukuar ndeshje në kampionat ose kupë. Në njoftimin e saj UEFA shkruan se në bazë të sistemit të përdorur prej saj dyshon se ka trukim në takime të nivelit Europian dhe kombëtar. Gjithësesi gjithçka do të sqarohet vetëm kur të njihet përmbajtja e dosjes së Skënderbeut.