Çështja e Sokol Mjaçaj, autorit të vrasjes së dy turistëve çek në korrikun e vtit të kaluar është ankimuar në gjykatën e apelit në Shkodër.

Pala mbrojtëse e autorit të vrasjes së dyfishtë ka vendosur që ta çojë edhe në apel këtë çështje duke kërkuar një dënim tjetër dhe të paktën të pranohet ekspertiza e një grupi psikologësh për 20 vjeçarin. Ankimimi për Sokol Mjaçaj në gjykatën e apelit mësohet se është bërë me 15 janar të këtij viti, 2 muaj pas marrjes së vendim në gjykatën e rrethit gjyqësor Shkodër. Në 16 nëntorin e vitit të kaluar në shkallën e parë u mor vendimi për Mjaçajn teksa u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çek, çiftit Michael Svatos dhe Anna Kosinova gjatë rrugës së kthimit nga Dakugjini në Shkodër. Edhe pse Mjaçaj kërkoi mëshirë, trupi gjykues në shkallën e parë e dënoi atë me burg përjetë. Mbrojtja përmes avokates së Sokol Mjaçaj pati shumë kritika për këtë çështje dhe tha se e gjitha është e paragjykuar ndaj 20 vjeçarit pa marrë parasysh mënyrën se si është rritur, varfërinë e tij, anën psikologjike dhe arsyet se pse ka dalë për të grabitur pasditen e 3 korrikut kur edhe ndodhi ngjarja. Në gjykatën e apelit ende nuk është vendosur se kur do të jetë seanca gjyqësore dhe çështja ëshë në pritje. Afati është 6 muaj që pas ankimimit dhe deri me 15 korrik të këtij viti Mjaçaj do të dalë përpara gjykatës së apelit. Pritet që mbrojtja e të riut që vrau dy turistët çek të mos lëviz nga kërkesat ndërsa duhet parë se cili do të jetë vendimi, nëse do të lihet në fuqi burgimi përjetë i shkallës së parë apo do të ketë një vendim tjetër. Sokol Mjaçaj në tentativë për të grabitur çiftin Svatos, Kosinova ka qëlluar në drejtim të tyre duke vrarë fillimisht shoferin e më pas edhe 36-vjeçaren, ngjarje e cila ndodhi pak kohë pasi Mjaçaj ishte liruar pas dënimit që vuajti më parë për një tjetër ngjarje të rëndë për të cilën ishte një prej të akuzuarve.

Artikulli paraprak“DREJTESI DHE PAQE” KUJTON DITËN NDËRKOMBËTARE TË TRAFIKIMIT
Artikulli tjetërPALLATI I SPORTIT, PUNIME PËR KANALIZIMIN E UJËRAVA TË ZEZA