
Vala e të nxehtit ka arritur pikun e saj, duke bërë që lëvizja në rrugët e Shkodrës gjatë orëve të mesditës të jetë një sfidë e vërtetë. Në këto ditë ku termometri shënon vlera ekstreme, konsumi i ujit është kthyer në një nevojë primare për secilin qytetar. Për t’u ardhur në ndihmë kalimtarëve dhe të moshuarve, në pika të ndryshme të qytetit janë vënë në funksion disa çezma publike. Kjo iniciativë e ndërmarrë nga Bashkia Shkodër, por edhe nga institucione fetare e biznese vendase, po ofron një pikë freskie mes zjarrit të vapës.
Pikat e furnizimit me ujë të pijshëm po shërbejnë jo vetëm për të shuar etjen, por edhe si një mundësi për t’u freskuar për momentin. Mjekët vijojnë të apelojnë për kujdes, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit, duke këshilluar konsumim të bollshëm të ujit dhe shmangie të lëvizjeve në pikun e diellit.
Ndërkaq, prania e këtyre çezmave në hapësirat publike mbetet një ndihme që lehtëson sado pak ditët më të nxehta të kësaj periudhe.






