Menjëherë pasi varianti Omicron u zbulua në fund të vitit të kaluar në Afrikën Jugore, disa studiues identifikuan një lloj të ri, i cili tani po tërheq një vëmendje më të madhe, pasi mund të ndikojë në zgjerimin e hartës së infektimeve në shumë vende me kalimin e kohës.

Varianti i ri BA.2 ka rreth 40 mutacione dhe disa parashikime tregojnë se mund të jetë një nga variantet më dominuese në shumë vende në muajt e ardhshme. Rritja e rasteve për shkak të llojit të ri ka filluar të jetë e dukshme, por jo shumë shqetësuese në bazë të të dhënave deri më tani.

Javën e kaluar, autoritetet shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, publikuan një raport që konfirmonte një shkallë të lartë infektimesh.

Ky lloj varianti duket të jetë më shumë ngjitës, por i paaftë të shkaktojë simptoma të rënda, veçanërisht te njerëzit që janë vaksinuar plotësisht së fundmi ose kanë marrë një dozë përforcuese të vaksinës.

Megjithatë, zbulimi i BA.2, nuk është aq i thjeshtë sa me versionin fillestar të Omicron, sepse ndryshe nga ky i fundit, verifikimi i rezultateve të strishave molekulare nuk është i mjaftueshëm, por është e nevojshme të vazhdohet me një sekuencë reale, d.m.th, analiza e materialit gjenetik.

Danimarka është një nga vendet në botë që realizon më shumë analiza të materialit gjenetik dhe kjo shpjegon faktin se pse BA.2 përbën afërsisht 78% të rasteve të zbuluara në vend. Ka shumë të ngjarë që ky lloj i ri të jetë i përhapur në shumë vende të tjera evropiane.

Studimi i kryer në Danimarkë ka tërhequr vëmendjen e ekspertëve dhe grupeve kërkimore.

Autorët analizuan infektimet në shtëpi, duke vënë në dukje se në prani të një pozitivi me BA.1, infektohen mesatarisht 29% e njerëzve që bashkëjetojnë, ndërsa në rastin e një pozitivi me BA.2, përqindja rritet në 39%.

Studimi danez tregon se BA.2, mund të ketë një aftësi për t’i shpëtuar imunitetit të krijuar nga vaksinimi.

Njerëzit e vaksinuar dhe me një dozë përforcuese u zbulua se ishin tre herë më të ndjeshëm ndaj infeksionit BA.2, sesa infeksioni BA.1.Megjithatë, personat e infektuar dhe që e kanë kryer dozën përforcuese, janë më pak transmetues se sa ata që janë infektuar me BA.1. Personat e pavaksinuar, nga ana tjetër, mund të jenë më transmetues nëse janë infektuar me variantin e ri BA.2.

Gjithashtu është akoma e paqartë nëse personat që janë infektuar më parë me BA.1 mund të jenë të mbrojtur nga infektimi me BA.2.

Një gjë e tillë varet veçanërisht nga dallimet e rëndësishme të BA.2-shit. Shumë studiues mendojnë se ky variant nuk duhet të konsiderohet as si Omicron dhe duhet të ketë një përkufizim të vetin.

Dallimet mund të jenë për shkak të një evolucioni paralel, i cili ndodhi menjëherë pas shfaqjes së Omicron, ku BA.2 mori më shumë kohë për t’u përhapur jashtë Afrikës Jugore.

Ngjashmëria e tij e madhe me variantin Omicron mund të ndihmojë në ngadalësimin e valës së fundit të koronavirusit në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, por edhe mund të shtojë numrin e rasteve të infektimeve në disa pjesë të tjera të botës, të cilat nuk janë prekur shumë nga varianti Omicron.Prevalenca e BA.2 mund të shpjegojë, pse rastet e reja pozitive po ulen ngadalë në disa vende të botës, por për një gjë të tillë, deri më tani, do të nevojiten më shumë të dhëna për të qenë të sigurtë.