A është kjo Vllaznia që u mendua se do të ndryshonte?

A është ky ekipi i cili sezonin e ardhshëm do të arrijë të bëjë ndryshimin duke mos e diskutuar më mbijetesën? Në fakt janë dy pyetje të cilat pas tre ndeshjeve miqësore të zhvilluara kanë një përgjigje negative. Dhjetra tifozë që ishin të pranishëm në ndeshjen e fundit miqësore me Deçiçin mbeten tejet të zhgënjyer nga paraqitja e skuadrës së tyre. Ekipi kuqeblu nuk po arrin të tregojë lojëra pozitive me futbollistë që nuk arrijnë të çojnë deri në fund veprimet sportive, që nuk arrijnë të zbatojnë detyrat e stafit teknik apo që nuk arrijnë në 90 minuta lojë të zhvillojnë një aksion të rrjedhshëm. Kjo bëhet edhe më e rëndë kur merr parasysh se Vllaznia nuk kishte përballë ekipe të një niveli të lartë apo me lojtar cilësor. Deçiçi me të cilin Vllaznia luajti dy ndeshje është ekipi i vendit të 5-të në Malin e Zi ndërsa Mornar është skuadër inferiore në shtetin fqinj. Për shumëkend nga tifozët, barazimi i fundit dhe loja e zhvilluar rezultuan edhe të turpshme për kuqeblutë. Një gjë të tillë nuk e mohon as vetë stafi teknik, trajneri Armando Cungu që në çdo dalje publike është tejet kritik dhe i drejtpërdrejtë duke qenë me këmbë në tokë dhe duke e kuptuar situatën tek ekipi që drejton. Dhjetra lojtar kanë ardhur e kanë ikur tek Vllaznia duke u provuar sikur kjo skuadër të ishte një han e jo ekip futbolli. Menaxherë nga të gjitha anët që synojnë vetëm Vllazninë për të sjellë këto mostra futbolli me idenë që të kapin ndonjë gjë. Ekipet e tjera janë përforcuar, mes tyre edhe Korabi që sapo u ngjit në Superligë ndërsa Vllaznia jo vetëm se nuk ka qëndruar në vendnumëro por duket se po bën hapa prapa. Ajo që mbetet është nëse faza përgatitore do të jetë shpëtimi i Vllaznisë. Skeptikët po shtohen!

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakVLLAZNIA-DEÇIÇ 0-0, ZV/TRAJNERI MAXHAR: PO LUAJMË KATASTROFË
Artikulli tjetër“RESURSET NATYRORE NË ZHVILLIM”, NIS FAZA E DYTË E PROJEKTIT