NDESHJA E PARË 3-0 PËR KATALANASIT, GJERMANËT BESOJNË TEK PËRMBYSJA. Nevojitet një mrekulli mbrëmjen e sotme për Bayern Munchen, në mënyrë që të sigurojë një biletë për në finalen e Berlinit.

Pas humbjes 3-0 në “Camp Nou” një javë më parë në gjysmëfinalen e vajtjes, skuadrës së Pep Guardiolës do t’i duhet një fitore me 4 gola diferencë në “Allianz Arena” për të eliminuar Barcelonën Një mision, që të paktën në letër duket i pamundur, edhe pse e kaluara sjell kujtime të hidhura për katalanasit. Hera e fundit spanjollët ishin në “Allianz Arena” për t’u përballur me Bayernin ka qenë 23 prilli i vitit 2013 ku gjermanët fituan me rezultatin e pastër 4-0. Ajo ishte ndeshja e kthesës për gjermanët, të cilët pak javë më vonë do të fitonin edhe Championsin, duke mposhtur në finale Borussia Dortmund. Megjithatë, mbrëmjen e sotme duket se gjithçka ka ndryshuar. Messi, i cili dy vite më parë nuk u shfaq në gjendjen e tij më të mirë fizike, e zgjidhi thuajse i vetëm ndeshjen e parë me dy gola dhe një asist. E vështirë të mendosh një rrëzim kaq drastik të Barçës, edhe pse në konferencën për shtyp para ndeshjes, Pep Guardiola u shpreh i sigurt se ai dhe skuadra që drejton besojnë dhe do të tentojnë deri në fund. Megjithatë, nuk ka për të ndikuar vetëm forma e Messit, por edhe forma gjithnjë e në rënie e Bayernit, teksa gjermanët kanë humbur 4 ndeshjet e fundit mes Championsit, Bundesligës dhe Kupës së Gjermanisë. Ndërsa “pleshti” dhe shokët e tij, përkundrazi, kanë fituar 17 nga 18 ndeshjet e fundit zyrtare.

Artikulli paraprak“LORO BORIÇI” PUNIMET MBETEN TË BLLOKUARA
Artikulli tjetërFERMERËT: NA DËMTON MUNGESA E PIKAVE TË GRUMBULLIMIT